Një ditë pasi kryeministri grek zhvilloi një darkë informale me liderët e Ballkanit Perëndimor në Athinë dhe nuk e ftoi kryeministrin shqiptar Edi Ramën, ka ardhur një reagim nga ky i fundi.
Rama shkruan se nuk reagoi më herët pasi nuk donte të shqetësonte mikpritësin dhe të ftuarit e tij, “duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre”.
Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se “shpreson shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos ngatërrojë të nderuarit e ftuar”.
Ai thekson më tej se në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë dhe duke iu drejtuar Mitsotakis shton se” kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”.
Shqipëria u ftua në nivel Presidenti, megjithatë dhe Kreu i Shtetit refuzoi të shkonte për shkak të axhendës.
REAGIMI I PLOTË
Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.
Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të thyer bukën me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor përballë qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i ngatërrojë mysafirët e nderuar.
Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.
Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh.
Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur.
Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik global, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.