Më 10 gusht, një gjykatë në Shën Petersburg e ka gjobitur një prej gazetarëve më të njohur të televizionit në Rusi, Alexander Nevzorov, për, siç është thënë, qëndrimet “ekstremiste” që ai i ka bërë në një intervistë për Shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë, dhe në kanalin e tij në YouTube, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Nevzorov është dënuar me 200 euro pse ka thënë “gjëra të këqija për presidentin” dhe “gjëra të këqija për ushtrinë”, prej kur ka ikur nga Rusia, në mars të vitit 2022.
Në muajin shkurt të vitit 2023, një gjykatë në Moskë e ka dënuar në mungesë Nevzorovin me tetë vjet burgim, me akuzat për diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë.
Në rrjetet sociale, ai e ka akuzuar ushtrinë ruse për bombardim të qëllimshëm të spitalit të maternitetit në Mariupol dhe për torturim e vrasje të civilëve në Buça.
Në qershor të vitit të kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka nënshkruar dekretin që ua siguron shtetësinë ukrainase Nevzorovit dhe gruas së tij Lidias.
Deri në zgjedhjet e vitit 2012, Nevzorovi ka qenë përkrahës i presidentit rus, Vladimir Putin, mirëpo tani e kundërshton luftën e Rusisë në Ukrainë dhe është kritik ndaj autoriteteve ruse.
Prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, të cilën zyrtarët rusë e quajnë “operacion special ushtarak”, autoritetet ruse për zbatim të ligjit kanë vendosur masa shtrënguese ndaj disidentëve.
Vetëm disa ditë pas nisjes së konfliktit, Putin e ka nënshkruar ligjin që parasheh dënime të rënda për përhapje të “lajmeve të rreme” për luftën e Rusisë, ashtu që Kremlini të mund ta kontrollojë narrativën për luftën.
Përhapja e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse, konsiderohet shkelje e dënueshme me deri në 15 vjet burgim./REL