Ditën e sotme një ngjarje e rëndë u regjistrua në Hamallaj të Durrësit. Shoferi i kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe njëkohësisht edhe punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë në një sherr për pronat ka dhunuar dhe kërcënuar me armën e shërbimit një familje.
Lindita Nikolla dikur ministre e Arsimit është ‘shigjetuar’ vazhdimisht si për reformat e dështuara por edhe për mënyrën e rekrutimeve dhe menaxhimit të ministrisë që drejtonte.
Teksa sot ndeshemi me “bëmat” e shoferit të Lindita Nikollës, zonjës qe ka pasur dhe ka pozita kyçe brenda PS-së por edhe në qeveri, sjellim në kujtesë deklaratën “pa dorashka” të Ben Blushit në parlament para disa kohësh. Nga foltorja e Kuvendit, Blushi akuzoi Nikollën se ka dërguar bodyguardin e saj për të marrë 3 mijë euro për një vend pune.
“Çove bodyguard për të marrë 3 mijë euro për një vend pune. është arrestuar se e çoje të merrte tre mijë euro për një vend pune. Ti ke shkatërruar arsimin në këtë vend. Ti je injorante dhe fatkeqësisht për studentët e Shqipërisë sesi të të kenë ty ministre e arsimit. Injoranca juaj është e patolerueshme”, u shpreh Blushi.
@zapping.al
Blushi thoshte disa të vërteta që tashmë me siguri heziton t’i shpreh për shkak të akomodimit në një televizion kombëtar falë ndikimit të Ramës. Por gjithashtu këtë të vërtete Ben Blushi nuk do ta shprehte tani edhe për një arsye tjetër që lidhet me përfitimet e tij tek inceneratorët. Theksojmë se janë zbuluar dokumente se kompanitë e inceneratorëve të firmosura nga Qeveria Rama-Meta, në mandatin e parë 2013-2017, kanë lidhje të forta dhe mediatike. Një nga emrat e zbuluar është ai i Drejtorit të Top Channel, Ben Blushi, ish politikanit të LIBRA-s, i cili është një emër shumë i përfolur, i akuzuar nga socialistët apo vetë demokratët, njeri me gati 20 vjet karrierë politike dhe mediatike.
Për t’u rikthyer tek arsimi në Shqipëri, ai prej disa vitesh është në ‘ditë të zeza’. Teksa kaloi nga Nikolla tek Besa Shahini e më pas te Kushi, duket se reformat arsimore janë në dorë të fatit. Reforma që kopjohem dhe nuk përshtaten siç duhet, mungesë transparence, skandale e korrupsion masiv, janë këto termat që i shkojnë më së shumti përshtat Ministrisë së Arsimit të drejtuar nga ministre që në thelb kanë të njëjtat interesa. Ndërkohë qe Rama në mbledhjen me kabinetin qeveritar në Tepelenë para pak ditësh vuri theksin edhe tek reforma në arsim. Sipas Ramës fokusi do të jetë inteligjenca artificiale që do të ndihmojë në arsim, prokurime, integrim dhe shërbime.
“Kemi folur për reformën shumë të rëndësishme që duhet të nisë në arsim ku nuk mund të jemi të papërgatitur, që krijon kjo kohë e re lëvizjes demografike rënie të lindshmërisë ndryshimet në botën teknologjike. U fokusuam te kodimi tani me inteligjencën artificiale, është se çfarë do të bëhet me këtë pjesë se mund të dalë jashtë loje”, tha Rama.
Por teksa Rama e çon problemin tek mungesa e inteligjencës artificiale, duhet që të evidentojë korrupsionin masiv që nis nga hierarkitë e kësaj ministrie.
/ GAZETA REFORMA