Pezullimi i rektorit të Universitetit të Tiranës ka qenë padyshim një nga lajmët më të bujshme, ndërsa rikthimi i tij nga Presidenti i Shqipërisë, ka qenë një vendim i papritur.
Ditën e sotme Mynyr Koni, është rikthyer në detyrë pas më shumë se tre javë pezullim dhe për Ora Nevvs, ai ka thënë se vlerëson Presidentin Meta për vendimin, pasi sipas tij ka mbajtur qëndrim shtetari.
Ndërkohë që gjithashtu ka thënë se pavarësisht gjithçkaje është i gatshëm që të bashkëpunojë me Ministren e Arsimit, Besa Shahini.
“Unë kam qenë i pezulluar për tre javë dhe sot pas dekretit të presidentit unë vazhdoj të ushtroj kompetencat e rektorit të Universitetit të Tiranës”, u shpreh ai.
Si e vlerësoni dekretin e Presidentit Ilir Meta?
Dekretin e presidentit dhe relacionin shpjegues të tij shpjegues e vlerësoj maksimale. Një qëndrim shtetari me përmasat e një politikani, i cili e ka treguar gjatë gjithë kohës së tij kuy mbrojti dhe siguroi autonominë institucionale dge garantoi lirinë akademike, të drejtat e fituara nga ana kushtetuese. Kështu që në emrin tim personal, të stafit akademik të studentëve të UT-së e vlerësoj maksimalisht. Nga ana tjetër e garantoj presidentin dhe gjithë strukturat e universitetet që do të punoj në përkushtueshmëri.
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ju për t’ju dëgjuar dhe gjithë arsyetimin tuaj në lidhje me pretendimin e ministres së Arsimit, do të duhej të njëjtën gjë të kishte bërë edhe ministrja?
Është minimale, ministrja nuk gjeti kohën për të më pritur, takuar ose përcjellë pretendimet e saj në lidhje me shkeljet e pretenduara nga ana e saj. Presidenti e gjeti kohën, më dëgjoi dhe vlerësoi dhe i paraqita dhe informacione të tjera të dokumentuara për të shpjeguar pretendimet e ministres në lidhje me kërkesën e saj.
Më herët e keni konsideruar si një vendim politik, gjithë reagimin e ministres Shahini, vijoni t’i qëndroni këtij mendimi?
Kjo është mëse e qartë, edhe nga analiza shteruese që ka bërë Presidenti kjo është një ndërhyrje e drejpërdrejtë në veprimtarinë e një institucioni të Rektorit të UT.
Si do të jenë marrëdhëniet me ministren e Arsimit?
Unë jam i hapur dhe vazhdimisht për bashkëpunim. Nuk cënon asgjë në marrëdhënien e mia me ministren e Arsimit apo çdo strukturë tjetër për tu zhvilluar Universiteti i Tiranës. Marr përsipër që në çdo moment të jem i gatshëm për të bashkëpunuar, për ta çuar më tutje për ta thelluar reformën e arsimit të lartë dhe për ta ngritur aty ku i duhet Universitetin e Tiranës, bashkë me kolegët e mi.