Teksa 3 efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Seerbi, në veri të Kosovës vazhdojnë tensionet.
Bëhet me dije se ditën e sotme KFOR-i, është vendosur në hyrje të Leposaviqit, teksa kanë ndaluar Njësinë Speciale të Kosovës të shkojë në këtë komunë.
KFOR-i vazhdon të kontrollojë mëngjesin e sotëm hyrje-daljet në Leposaviq dhe ka vendosur një bllokadë tek baza e “Nothing Hill”.
Ushtarët e KFOR-it po pyesin të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për rolin e tyre. Madje për këtë vendim është njoftuar edhe kryeministri Kurti.
Por në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren.
“Ju informojmë se, të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”, tha Kelani.
KFOR-i të shtunën, tha se dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
KFOR tha se ata janë reaguesi i tretë, duke shtuar se Policia e Kosovës “mbetet përgjegjëse për sigurimin e ligjit në mbarë Kosovën”.
“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”.