Skip to content
Rajoni

Tensionet në Veri/ KFOR bëhet “mur” për Njësinë Speciale të Kosovës në Leposaviç

· 2 min lexim

Teksa 3 efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Seerbi, në veri të Kosovës vazhdojnë tensionet.

Bëhet me dije se ditën e sotme KFOR-i, është vendosur në hyrje të Leposaviqit, teksa kanë ndaluar Njësinë Speciale të Kosovës të shkojë në këtë komunë.

KFOR-i vazhdon të kontrollojë mëngjesin e sotëm hyrje-daljet në Leposaviq dhe ka vendosur një bllokadë tek baza e “Nothing Hill”.

Ushtarët e KFOR-it po pyesin të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për rolin e tyre. Madje për këtë vendim është njoftuar edhe kryeministri Kurti.

Por në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren.

“Ju informojmë se, të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”, tha Kelani.

KFOR-i të shtunën, tha se dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

KFOR tha se ata janë reaguesi i tretë, duke shtuar se Policia e Kosovës “mbetet përgjegjëse për sigurimin e ligjit në mbarë Kosovën”.

“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”.