Javën e kaluar kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte dorëzuar një draft-propozim për çështjen e Asociacionit në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë që sot vjen një reagim nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i cili është shprehur kundër kësaj iniciative të Ramës. Vuçiç u tregua i prerë duke thënë se Rama nuk ka tagër që të ndërmarrë një hap të tillë. Kjo pasi sipas tij, Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues serb.
Deklarata u bë gjatë një interviste për televizionin serb ‘TV Happy’.
“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Drejtues Serb. As (kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar”, u shpreh Vuçiç.
Vlen të përmedin se drafti i Ramës për asociacionin në Kosovë, ka ngjallur një sërë polemikash. Nga disa është konsideruar si veprim që cënon interesat e Kosovës.
Ndërkohë që vetë në një reagim zyrtar, zyra e kryeministrit Kurti u shpreh se Kosova ka nevojë për mbështetës në këtë situata, sepse ndërmjetës ka mjaftueshëm.
Nga ana tjetër prej 2 javësh situata në veri të Kosovës ka qenë e acuaruar, ku serbët kanë dalë në protesta.