Teksa ditën e sotme Gjykata e Elbasanit mori vendimin që Saimir Tahiri të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në kushtet “arrest shtëpie” kjo nuk është pritur aspak mirë nga opozita në vend. Sot Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lirojë ish-ministrin Saimir Tahiri nga burgu dhe pjesën tjetër të mbetur nga dënimi i tij ta kryejë në shtëpi.
Pas këtij vendimi ka reaguar kreu i grupit të PD-së së vulës, Gazment Bardhi, duke e quajtur një vendim politik dhe një tallje e drejtësisë me drejtësinë.
“Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që të garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.
Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.
Abuzuesit e pushtetit duhet të vujanë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabratë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, deklaron Bardhi.