Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate. Deputetja e Partisë Demokratike ka folur për pjesëmarrje të ulët në zgjedhje.
Menjeherë pas deklaratës së saj kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka ngurruar t’i kundërpërgjigjet deputetes.
Rama tha se shqiptarët braktisën vetëm një pjesë të politikanëve dhe PS u votua më shumë se asnjëherë më parë.
“Jam shumë i impresionuar nga kurajoja e parafolësve për të adresuar parlamentin në emër të shqiptarëve. Në emër të shqiptarëve flasin shqiptarët dhe ata të cilët shqiptarët i mandatojnë për të folur. Por kur shqiptarët sapo kanë folur dhe kanë folur aq qartë sa natyrisht kanë tronditur një pjesë të atyre që janë ata që nuk duan të dëgjojnë, është shumë komike që të flitet në emër të shqiptarëve. Flitet në emër të shqiptarëve që braktisën politikën, zgjedhjet apo në emër të të rinjve që ishin të pakët në votime. Por pasqyra e pjesëmarrjes flet pak më ndryshe.
Shqiptarët nuk kanë braktisur të gjithë ne, kanë braktisur një pjesë nga ne. Përsa i takon pjesës që së bashku, me të gjithë deputetët në krahun e majtë që unë përfaqësoj, shqiptarët jo vetëm që nuk na kanë braktisur por na kanë mbështetur më shumë se asnjëherë më parë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se nuk është një fenomen karakteristik i zgjedhjeve vendore. Braktisësit e të gjitha moshave kërkojini te mënyra si e kuptoni këtë votë, si e lexoni Shqipërinë, si flisni për Shqipërinë. Kjo është një këshillë e pakërkuar që unë ja u kam dhënë që në seancën e parë të Kuvendit të mandatit tonë të parë dhe fjalëmarrësi i parë pas fjalës time kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Kështu që ne do të vazhdojmë vetëm përpara”, theksoi Rama.