Ditën e nesërme në Kuvend do të diskutohet rritja e pagave në administratën, institucionet e pavaruara, qeverinë dhe deputetët.
Por, sot Sali Berisha tha se së pari duhet të miratohet minimumi jetik pastaj rritja e pagave duke e kushtëzuar votën.
Berisha u shpreh se minimumi jetik duhet të jetë 200 euro.
“Tani kam një problem me rendin e ditës. Çështja e rrogave. Të dashur deputetë, unë do shpreh mendimin tim përpara jush. Emergjencë e të gjitha emergjencave për mua është votimi i minimumit jetik. Ne, duhet të votojmë minimumin jetik të përllogaritur nga Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit ka përdorur ekspertët më të mirë dhe ka gjetur se minimumi jetik aktualisht në Shqipëri është 200 euro. Ndaj dhe ne do të kërkojmë në mënyrë të prerë, hapi i parë drejt rritjes së rrogave duhet të fillojë me vendosjen e minimumit jetik.
E kemi premtuar edhe gjatë fushatës. Shqipëria i ka të gjitha kushtet për ta përballur. Minimumi nënkupton që nuk ka shqiptar që nuk do ketë të paktën 200 euro për pagën e tij. Nuk është e vërtetë se kjo është për 3 milionë shqiptarë, kjo është shtesë mbi pensionet, mbi ndihmën ekonomike, por kjo është plotësisht e përballueshme.
Ndaj ne do bëjmë në parlament një betejë të fuqishme për të mos filluar nga rritja e rrogave për deputetët dhe ministrat, por duke filluar me minimumin jetik. Mendoj të përgatisim amendamentin dhe nesër kjo do jetë tema jonë kryesore në parlament” tha Berisha.