Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri fitoi në zgjedhjet vendore të 14 Majit, teksa ndodhej në burg.
Ndërkohë që gazetari Arjan Çani deklaroi në “Euronews Albania” se fitorja e Fredi Belerit erdhi në një situatë shumë komplekse dhe si rezultat i bashkimit të disa rrethanave. Sipas Çanit, duhet të plotësohen shumë kritere që të arrihet një sukses, dhe në rastin e Belerit mesa duket ka pasur një kimi mes tij dhe popullit të Himarës që e votuan. Fakti që Jorgo Goro kishte 3 mandate si kryebashkiak i Himarës dhe gjithashtu nga ana tjetër insistimi i Belerit janë arsye gazetari Arjan Çani i vlerëson si faktorë që ndikuan në këtë rezultat.
“Nuk i them dot të gjitha, Himara është komplekse. Gjithmonë atje nuk ka pasur ndonjëherë hendek të thellë, në këtë rast ishin krijuar kushtet. Goro kishte 3 mandate, ndoshta njerëzit ishin lodhur, Beleri nga ana tjetër ishte insistues. Plus që është e vështirë të bësh inxhinieri elektorale kur ti ke futur 2 ditë para në burg kandidatin. U la kjo gjë të shkonte normalisht dhe ndodhi ajo që ndodhi. Duhet të plotësohen shumë kritere që të arrihet një gjë. Rama që është sot në pushtet nuk është rastësisht. Mund të jetë një djalë shumë i mirë, ka ngjitur. Duhet të plotësohen shumë gjëra që të arrish në sukses”, tha Çani.