13 vite burg për Rexhep Selimin/ Gjykata e Hagës e dënon për katër krime lufte, i pafajshëm për krime kundër njerëzimit

Rexhep Selimi është dënuar me 13 vite burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pasi trupi gjykues e shpalli fajtor për katër krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas vendimit të kumtuar në seancë, Selimi u shpall fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ndaj 385 personave, si dhe për trajtim mizor ndaj së paku 49 personave. Gjykata e gjeti fajtor gjithashtu për torturë dhe vrasje të paligjshme.
“Trupi gjykues ju shpall fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm si krim lufte, kryer kundër 385 personave. Trajtim mizor si krim lufte kryer kundër së paku 49 personave.
Torturë si krim lufte dhe vrasje e paligjshme. Trupi gjykues ju shpall të pafajshëm për një numër incidentesh të pavërtetuara dhe për krime kundër njerëzimit.
Dënimi jepet nga një dënim më vete për secilën vepër dhe në fund do t’ju shqiptohet dënimi i njësuar në tërësi. Dënim me 6 vite për krim lufte të arrestimit të paligjshëm.
2 vite burg për trajtim mizor, 8 vite burg për torturë dhe 11 vite burg për vrasje të paligjshme. I njësuar dënimi është 13 vite, duke llogaritur kohën e paraburgimit”, u shpreh gjyqtari.
Për secilën vepër, gjykata përcaktoi fillimisht dënime të veçanta: 6 vite burg për arrestim të paligjshëm, 2 vite për trajtim mizor, 8 vite për torturë dhe 11 vite për vrasje të paligjshme. Dënimi përfundimtar i njësuar u caktua në 13 vite burg, ku do të llogaritet edhe koha që Selimi ka kaluar në paraburgim.
Trupi gjykues e shpalli ndërkohë Selimin të pafajshëm për një numër incidentesh që nuk u vërtetuan, si dhe për krime kundër njerëzimit.