Teksa një ditë më parë shqiptarët vendosën për pushtetin vendor, tashmë një pjesë e bashkive kanë zbardhur rezultatet. Evidentohet dukshëm që Partia Socialiste dominon me fitoren e saj. Sotiraq Filo është rikonfirmuar sërish si kryebashkiak në Korçë, ndërsa PS merr kështu një tjetër bashki. Mësohet se Filo ka marrë 20966 vota përballë Ledina Alolli, e cila siguroi 13631 vota. Kujtojmë se ky është mandati i tretë që merr Filo.
Partia Socialiste ka arritur të fitojë Bashkinë e Tropojës me kandidatin e saj Rexh Byberi. Bastioni i demokratëve bie kështu për herë të dytë brenda katër viteve, ku fillimisht ra në 2019 teksa në garë ishte vetëm PS-ja, dhe tani kur në garë ishte ish deputeti demokrat, Besnik Dushaj.
Ka përfunduar numërimi edhe në bashkinë e Sarandës ku socialistët kanë siguruar fitoren e katërt radhazi. Oltion Çaçi i Partisë Socialiste ka fituar me një diferencë të ndjeshme ndaj kandidatit të Bashkë Fitojmë, Ardit Çikuli.
Në këtë bashki garonin edhe Gjergji Mërkuri si i pavarur dhe Skënder Muço nga PD zyrtare. Në përfundim të procesit të numërimit, Çaçi dhe Çikuli shtrënguan duart në një gjest qytetarie. Gjthashtu ka përfunduar numërimi në tre bashki tyë qarkut Gjirokastër, ku dy i ka marrë PS dhe një Bashkë Fitojmë.
Në Tepelenë, Tërmet Peçi ka shkaktuar “tërmet” votash duke fituar me 83%. Bashkinë Memaliaj e ka fituar opozita ndërsa Këlcyrën socialistët, të ‘ndihmuar’ dhe nga PD zyrtare.
Eriselda Sefa, e cila u komandua si kryetare e bashkisë së Lushnjes për një vit pas arrestimit të socialistit Fatos Tushe, ka mundur të sigurojë në garë elektorale një mandat të plotë në krye të kësaj bashkie.
Socialistët gjithashtu kanë fituar edhe bashkinë e Patosit me një rezultat të thellë të Fation Duros.
Gjithashtu është mbyllur numërimi i votave në bashkinë e Kavajës. Mësohet se Redjan Krali i PS-së do të vazhdojë të drejtojë bashkinë 51.75% të votave përballë kundërshtarit Fisnik Qosja, i cili fitoi 48.25% të votave.
Është mbyllur procesi i votimit në Bashkinë e Librazhdit, Cërrikut dhe të Peqinit. Sipas të dhënave janë numëruar të 55 kutitë e votimit ku Mariglen Disha nga Partia Socialiste ka marrë 10.364 vota ndërsa kundërshtari i tij Shefik Çota nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka marrë 3,557 vota.
Po ashtu dhe në Cërrik janë numëruar të 58 kutitë e votimit ku Andis Salla nga PS ka marrë 8444 vota ndërsa kundërshtari i tij Servet Dusha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka marrë 3416 vota.
Gjithashtu numërimi është mbyllur dhe në Peqin, ku Bukurosh Maçi ka fituar Bashkinë me 6045 vota. Sakaq kundërshtari i tij ka nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” Mustafa Pashja ka marrë 4403 vota.
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Mirditës në qarkun Lezhë. Sipas të dhënave nga KQZ Albert Mëlyshu nga koalicioni Bashkë Fitojmë ka fituar zgjedhjet me 6241 vota. Ndërsa kundërshtari i tij ka Ndrec Dedaj nga PS ka marrë 5056 vota.
Është mbyllur procesi i numërimit në Fushë-Arrëz ku janë numëruar të 15-të kutitë. Sipas të dhënave Hil Curri nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka marrë 2580 vota ose 58.85% ndërsa kundërshtari i tij ka marrë 1804 vota ose 41.14%. Curri ka fituar me 776 vota diferencë.
Bashkitë Kuçovë dhe Dimal do të vijojnë të drejtohen nga socialistët. Lefter Maliqi i Bashkë Fitojmë nuk arriti të sigurojë fitoren në Kuçovë ndërsa Kreshnik Hajdari është konfirmuar për një tjetër mandat. Juliana Memaj e PS gjithashtu është rikonfirmuar në Dimal.
Kuçovë
Kreshnik Hajdari PS-48.20%
Lefter Maliqi BF -46.72%
Ilirjan Koxhaj PD -5.08%
Dimal
Juliana Memaj PS-50.11%
Dritan Sula PD-36.46%
Gentian Meçi BF-13.43%
Edison Memolla i Partisë Socialiste është rikonfirmuar si kryetari i bashkisë së Rrogozhinës duke mundur në garën e 14 majit kandidatin e Bashkë Fitojmë, Shkëlqim Hoxha.
Edison Memolla PS-50.11%
Shkëlqim Hoxha BF-49.89%
Ndërsa vijon numërimi i votave në qarkun e Beratit, PS ka siguruar fitoren në dy bashki, Poliçan dhe Skrapar.