Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit vendore mund të shpjegohet me dy elementë:
-Së pari, ose shqiptarët janë të zhgënjyer me politikën dhe nuk u drejtohen kutive të votimit, duke pritestuar në heshtje.
-Së dyti, dhe që në fakt ka më shumë të ngjarë, kanë mbetur shumë pak votues, për shkak të emigracionit të lartë, sidomos tek të rinjtë.
Sipas të dhënave paraprake nga kryetari i Komisionit Qendrore tê Zgjedhjeve (KQZ), Ilirian Celibashi, gjatê një konderence për shtyp, pjesëmarrja në këto votime ishte rreth 34.7%, më e ulëta historike, me përjashtim të vitit 2019, kur zgjedhjet u bojkotuan nga opozita dhe si rrjedhojë shumë persona nuk iu drejtuan kutive të votimit.
Nga 3.65 milionë shtetas shqiptarë, që kishin të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, nëse kjo përqindje do të jetë përfundimtare, vlerësohet se në zgjedhjet vendore kanë votuar vetëm rreth 1.26 milionë persona, sërish numri më i ulët historik, me përjashtim të 2019-s. (shiko grafikun: Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore)
Në zgjedhjet e përgjitshme 2021 votuan gjithsej 1.66 milionë persona, ndërsa në ato lokale 2015 rreth 1.61 milionë perona.
Vetëm pak vite më pas janë rreth 400 mijë votues më pak, shifër që përkon dhe me të dhënat indirekte për emigracionin e lartë të viteve të fundit, sipas lejeve të qëndrimit që janë dhënë nga shtetet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë dhe rritjen e numrit të kërkesave për azil.
Rekordi i numrit të votuesve u arrit në vitin 2013
Numri më i lartë i votuesve është arritur në zgjedhjet e përgjitshme të vitit 2013, me 1.75 milionë votues, me një përqindje pjesëmarrjeje prej 53.5% (shiko grafikun: Pjesëmarrja në zgjdhjet e përgjithshme).
Ky është dhe rekordi i pas viteve ’90 për numër votuesish, si për zgjedhjet e përgjithshme, ashtu dhe ato lokale. Ndërsa si përqindje ndaj totalit të votuesve, rekordin e mbajne vitet 1992 dhe 1996, me përkatësisht 90% dhe 80% të votuesve.
Në fillim të viteve 90, ndonëse popullsia ishte më e lartë sesa sot, numri i votuesve ishte më i ulët, për shkak të moshës së re. Psh, në vitin 1990, kishte të drejtë vote 62% e popullsisë banuese, ose 2 milionë persona, që ishin mbi 18 vjeç, sipas të dhënave të divizionit të popullsisë të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2021, kishte të drejtë vote 80% e popullsisë banuese në vend, ose 2.3 milionë persona, që ishin mbi 18 vjeç.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në vitin 2023, numri i personave që kishin të drejtë vote arriti rekordin e pas viteve ’90, me 3.65 milionë persona.
Por, siç tregon dhe grafiku “Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore” numri i personave me të drejtë vote në raport me votuesit realë ka një korrelacion negativ, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në moshë votuese janë jashtë vendit.
Diferenca është theksuar ndjeshëm në 2023, me 2.4 milionë persona mes numrit të personave që kanë të drejtë vote dhe atyre që votuan realisht, nga 1.4-1.7 milionë, që ishte në periudhën 2000-2015, duke treguar thellim të emigraconit, në raport me 8 vite më parë./MONITOR