Ditën e sotme po zhvillohet seanca plenare, ku opozita ka kërkuar mocion referuar raportit të DASH-it, që pasqyronte shqetësuese zhvillimin e demokracisë në vendin tonë. Fillimisht kjo kërkesë e opozitës nuk është pranuar pasi sipas kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk është paraqitur një kërkesë për mocion.
Ndërkohë që lidhur me kërkesën e opozitës ka reaguar edhe dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili është shprehur se janë të gatshëm për të diskutuar për çdo lloj raporti, por duhet paraqitur më parë kërkesa. Gjithashtu ai ka ‘shigjetuar’ Berishën , duke thënë se Kuvendi duhet të ishte mbledhur për të diskutuar edhe çështjen “non grata” nga SHBA-ja.
“Në kërkesë kanë përjashtuar nga firma krye ‘non grata’-n, gjë që tregon një reflektim në raportin me DASH. Kuvendi duhet ta vlerësojë dhe ta shqyrtojë në procedurë. Nuk kemi përpara një kërkesë për mocion me debat. Nuk ka ardhur një e tillë. Neni 98 përcakton qartë se si vjen kërkesa dhe cilët janë hapat e procedurës.
Këtu ka një kërkesë për ndryshim në rendin e ditës për diçka që nuk ekziston. Nëse ju ka ‘çuar nëna për me la gojën’ hajde bëjeni. Por në rast se doni vërtet bëjeni kërkesën sipas procedurës. Edhe ne duam të flasim për shumë gjetje të DASH. Ky Kuvend duhet të ishte mbledhur për të diskutuar për vendimin e SHBA-së për të shpallur ‘non grata’ një anëtar Kuvendi. Pra, për mocionin me debat nuk ka pasur një kërkesë dhe s’kemi çfarë votojmë”, tha Balla.