Ofensiva ruse/ Drejtori i CIA-s: Putini ka vetëbesim të tepruar se mund të mposhtë Ukrainën

Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e dytë, Drejtori i CIA-s William Burns tha të dielën se Presidenti rus Vladimir Putin ka vetëbesim të tepruar tek aftësia e ushtrisë ruse për ta detyruar gradualisht Ukrainën që të dorëzohet.
Gjatë një interviste televizive, Burns tha se kreu i shërbimeve ruse të zbulimit pati shpalosur gjatë një takimi në nëntor një ndjesi arrogance dhe krenarie të tepruar në të njëjtën linjë me vetë zotin Putin se “mundet ta shfrytëzojë kohën në favor të tij, se ai beson se mundet ta dërrmojë gradualisht Ukrainën, se mundet t’i lodhë aleatët evropianë, dhe se me kalimin e kohës do të zërë vend edhe një lodhje politike”.
Kjo bisedë, gjatë së cilës Burns tha se paralajmëroi për pasoja në rast se Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë, ishte “shumë dekurajuese”, sipas tij.
Zoti Burns tha se mendon se zoti Putin është “shumë i vendosur” për ta vazhduar luftën, megjithë humbjet në radhët e ushtarëve, disavantazhet taktike dhe ekonomike, si dhe dëmin ndaj reputacionit të Rusisë.
“Mendoj se Putini, në këto momente, ka vetëbesim të plotë tek aftësia e tij… për ta dëmtuar gradualisht Ukrainën”, tha Burns gjatë një interviste për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, që u transmetua të dielën. Burns tha se “në një moment të caktuar, atij do t’i duhet të përballet edhe me kostot në rritje, me arkivolë që do të kthehen në disa prej zonave më të varfëra të Rusisë”, zona nga ku ai tha se janë shumë prej rekrutëve që “përdoren si mish për top”.
Zoti Burns tha gjithashtu se zoti Putin po nënvlerëson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe se nga eksperienca e tij ka konstatuar se pikëpamjet e udhëheqësit rus janë se amerikanët “kanë çrregullime në përqëndrimin e vëmendjes dhe se shumë shpejt do të orientohen drejt temave të tjera”.
Këto komente vijnë në një moment jetik të luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden ka krijuar bindjen se drejtuesit kinezë janë duke shqyrtuar nëse duhet ta furnizojnë Rusinë me armatime vdekjeprurëse.
“Kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe jo e mençur” tha Burns, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të tensiononte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës. “Prandaj shpresoj shumë që të mos veprojnë kështu”, tha ai.
Burns tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping, ka vëzhguar nga afër se si është zhvilluar lufta dhe “mendoj se në shumë mënyra ai është trazuar dhe kthjelluar nga ato çfarë ka parë”. Drejtori i CIA-s foli për situatën se “ku e ka sjellë arroganca e Putinit tashmë Rusinë” dhe tha se në sistemet autoritare, ku “askush nuk sfidon” udhëheqësin, “mund të bësh gabime të jashtëzakonshme”./VOA
Lexo më tej
KLSH: Shqipëria pa mekanizma funksionalë për të matur luftën ndaj varfërisë
Shqipëria nuk ka arritur të sigurojë harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të…
Dua Lipa vendos flamingot në hyrje të “Sunny Hill”, simboli i protestës kundër qeverisë Rama
Festivali ndërkombëtar “Sunny Hill” ka rikthyer sonte atmosferën e tij në Prishtinë, ku nga 31 korriku deri më…
“S’kemi interesa personale”/ Eurodeputetja i përgjigjet Ramës: Punimet në Vjosë-Nartë vazhdojnë, kemi njoftuar sërish Komisionin Europian
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda, anëtare e Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, i është kundërpërgjigjur kryeministrit…
Dhunohet gazetari Elton Qyno, në kërkim bashkëshortja e Florenc Çapjas
Gazetari investigativ Elton Qyno ka denoncuar se është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme, duke…