Ofensiva ruse/ Drejtori i CIA-s: Putini ka vetëbesim të tepruar se mund të mposhtë Ukrainën

Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e dytë, Drejtori i CIA-s William Burns tha të dielën se Presidenti rus Vladimir Putin ka vetëbesim të tepruar tek aftësia e ushtrisë ruse për ta detyruar gradualisht Ukrainën që të dorëzohet.
Gjatë një interviste televizive, Burns tha se kreu i shërbimeve ruse të zbulimit pati shpalosur gjatë një takimi në nëntor një ndjesi arrogance dhe krenarie të tepruar në të njëjtën linjë me vetë zotin Putin se “mundet ta shfrytëzojë kohën në favor të tij, se ai beson se mundet ta dërrmojë gradualisht Ukrainën, se mundet t’i lodhë aleatët evropianë, dhe se me kalimin e kohës do të zërë vend edhe një lodhje politike”.
Kjo bisedë, gjatë së cilës Burns tha se paralajmëroi për pasoja në rast se Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë, ishte “shumë dekurajuese”, sipas tij.
Zoti Burns tha se mendon se zoti Putin është “shumë i vendosur” për ta vazhduar luftën, megjithë humbjet në radhët e ushtarëve, disavantazhet taktike dhe ekonomike, si dhe dëmin ndaj reputacionit të Rusisë.
“Mendoj se Putini, në këto momente, ka vetëbesim të plotë tek aftësia e tij… për ta dëmtuar gradualisht Ukrainën”, tha Burns gjatë një interviste për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, që u transmetua të dielën. Burns tha se “në një moment të caktuar, atij do t’i duhet të përballet edhe me kostot në rritje, me arkivolë që do të kthehen në disa prej zonave më të varfëra të Rusisë”, zona nga ku ai tha se janë shumë prej rekrutëve që “përdoren si mish për top”.
Zoti Burns tha gjithashtu se zoti Putin po nënvlerëson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe se nga eksperienca e tij ka konstatuar se pikëpamjet e udhëheqësit rus janë se amerikanët “kanë çrregullime në përqëndrimin e vëmendjes dhe se shumë shpejt do të orientohen drejt temave të tjera”.
Këto komente vijnë në një moment jetik të luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden ka krijuar bindjen se drejtuesit kinezë janë duke shqyrtuar nëse duhet ta furnizojnë Rusinë me armatime vdekjeprurëse.
“Kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe jo e mençur” tha Burns, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të tensiononte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës. “Prandaj shpresoj shumë që të mos veprojnë kështu”, tha ai.
Burns tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping, ka vëzhguar nga afër se si është zhvilluar lufta dhe “mendoj se në shumë mënyra ai është trazuar dhe kthjelluar nga ato çfarë ka parë”. Drejtori i CIA-s foli për situatën se “ku e ka sjellë arroganca e Putinit tashmë Rusinë” dhe tha se në sistemet autoritare, ku “askush nuk sfidon” udhëheqësin, “mund të bësh gabime të jashtëzakonshme”./VOA
Read next
Konviktet e studentëve iu dhanë indianëve të Wolt gjatë drejtimit të Anuela Ristanit, Bashkia prish kontratën
Bashkia e Tiranës ka vendosur të ndërpresë kontratën që lejonte akomodimin e shtetasve indianë, punonjës të kompanisë Wolt,…
“Lista e zezë” e protestuesve, ekspertët për BIRN: Rama shkel Kushtetutën, anashkalon gjykatat dhe synon të frikësojë qytetarët
Vendimi i qeverisë Rama për krijimin e një regjistri të posaçëm të protestuesve, që i jep Policisë kompetenca…
Vodhën tubat e bakrit për t’i shitur dhe shkaktuan shpërthimin fatal në Athinë ku humbën jetën 4 anëtarë të një familjeje shqiptare, arrestohen 3 persona, mes tyre një shqiptar
Tre persona, mes tyre një shqiptar, janë arrestuar nga policia greke si të dyshuar për shkaktimin e shpërthimit…
Paketa Fiskale 2027/ Dhoma Amerikane e Tregtisë: Rritja e taksave rrezikon shtrenjtimin e jetesës në Shqipëri
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) kundërshton rritjen e taksave të propozuara nga qeveria në Paketën Fiskale…