Gjatë 13 muajve të fundit ka përfunduar 90% e punës për hapjen e tunelit të Llogarasë, i cili është pjesë e rrugës Orikum-Palasë. Hapja e plotë e tunelit është projektuar të bëhet në muajin shkurt.
Këtë të martë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka inspektuar punimet në këtë segment. Balluku tha se me përfundimin e të gjithë projektit qytetarët apo turistët do ta kenë më të lehtë qarkullimin, por ky segment do të ndihmojë edhe lidhjen me aeroportin e Vlorës.
Ky tunel shmang pjesën e Llogarasë, e cila dhuron një panoramë fantastike të bregdetit Jon, por mund të jetë sfiduese për disa për shkak të terrenit të ashpër.
“Gjatë sezonit veror nuk kemi më automjete të rënda që të bllokojnë trafikun. Ky është tuneli që ishte kthyer në një ëndërr për të gjithë shqiptarët, për të gjithë investitorët që kanë investuar në Jug, për të gjithë turistët për të cilët Qafa e Llogarasë ishte kthyer në një sfidë. Do jetë një arritje e madhe për zhvillimin ekonomik të jugut të Shqipërisë”, tha ministrja Balluku.
Tuneli i Llogarasë nuk ka hapur probleme madhore në hapjen e tij, për shkak të përbërjes gjeologjike të tokës, në të cilën gërmimet avancojnë me 20 metra çdo ditë.