Trau në Parkun e Divjakës ka shkaktuar kundërshtime të forta nga banorët e zonës, të cilët kanë dalë edhe në protesta.
Ndërkohë që ditën e sotme, gjatë seancës plenare deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka ngritur zërin e tij për këtë çështje.
Ndër të paktë deputetë që bën rolin e opozitarit brenda mazhorancës, Braçe iu drejtua ministres së turizmit, Mirela Kumbaro, duke thënë se taksat nuk mblidhen me kupon dhe se Divjaka nuk shquhet për mjelma.
Gjithashtu, ai iu drejtua Kumbaros me pyetjen se përse është duke gënjyer, duke hedhur akuza ndaj saj.
“Taksat nuk mblidhen me kupon dhe Divjaka nuk shqyhet për mjellma, është liqen tjetër ai… Ajo ka vetëm 4 ekzemplarë. E kam shumë të vështirë se jeni të dyja zonja; pse gënjeni? Do mundohem që t’ua provoj me letra”, deklaroi Braçe.
Vendimi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vendosjen e një trau elektronik dhe bërja me pagesë për turistët dhe vizitorët, hyrja në parkun kombëtar të Divjakës ka nxitur reagimin e banorëve të zonës. Më herët me pankarta të ndryshme që mbajnë në duar, banorët të gjithë së bashku thanë se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Ndërkohë që kreu i PD-së për Divjakën, Eduard Sharka deklaroi se trau është vendosur në mënyrë të paligjshme.