Teksa dita për zgjedhjet vendore po afron dhe kryeministri Rama ka intensifikuar takimet e tij nëpër qytetet e Shqipërisë, Tedi Blushi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka denoncuar një skandal. Sipas Blushit qeveria po i bën presion punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet që kryeministri zhvillon. Madje në postimin e tij ai ka bashkangjitur edhe disa mesazhe ku tregohet kjo gjë.
Statusi:
Kërcënimi i punonjësve të administratës publike për të marrë pjesë me detyrim në takimet e Edi Ramës, duke i paralajmëruar me “mbajtje përgjegjësie” (nënkupto shkarkim nga detyra), është një vepër shume e dënueshme penale.
Prokuroria duhet të reagojë menjëherë ndaj Nënkryetares së Bashkisë së Vlorës, Aulona Veizi dhe ta procedojë penalisht për këtë krim të shëmtuar për llogari dhe me urdhër të Edi Ramës.
Duke u solidarizuar me punonjësit e administratës publike u bëjmë thirrje të mos frikësohen, të zbatojnë me përpikmëri vetëm ligjin dhe statusin e tyre, si dhe të refuzojnë pjesëmarrjen me pahir në mitingjet mashtruese të Edi Ramës.
Partia e Lirisë dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë do të jenë gjithmonë në mbrojtje të lirive, të drejtave të tyre dhe te zbatimit të ligjit.
Modeli shtypës i qeverisë së Edi Ramës është në largim! Ora e llogaridhënies po afron!