Ditën e sotme bëhet me dije një problem mjaft shqetësues për qytetarët. Mësohet se në qendrën më të madhe spitalore QSUT, nuk ka një mjek pneumolog që qëndron çdo ditë. E vetmja mjeke pneumologe që ishte ka ikur në Gjermani.
Nëse gjendja shëndetësore e pacientëve komplikohet atëherë mjeku kërkon me telefon një mjek pneumog nga sanatorium dhe kur të jetë i lirë, pas tre po 4 orësh ai vjen për të vizituar pacientin që ka shfaqur komplikacionin.
Dhe kjo është një zgjidhje në rastin më të mirë, por që në fakt është stres i shtuar jo vetëm për pacientin dhe familjarët e tij por edhe për vetë ekipin mjekësor që e ndjek në QSUT ,pasi vonohet fillimi i trajtimit mjekësor.
Kjo dëshmohet nga rasti më i fundit i një familjari i cili në një intervistë për Top Channel tregoi se kërkoi të sillte madje privatisht një mjek pneumolog por edhe kjo nuk lejohej.
Ndërkohë që mjeku pneumolog arrin më shpejt nëse pacienti apo familjari i tij ka të njohur në radhët e bluzave të bardha, por edhe në këtë rast mjeku penumolog nuk mund të largohet për të ardhur në QSUT nëse nuk ka mbaruar vizitat e pacientëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Nuk janë të paktë pacientët të cilët vijnë për t’u trajtuar në klinikat e QSUT dhe kanë probleme apo trajtohen edhe për probleme në mushkëri .Aq më tepër kur jemi në një situatë post covid e janë shtuar komplikacionet pacientëve në mushkëri.
Por nëse mjekja pneumologe më parë ka ekzistuar përse tani askush nuk e merr mundimin për ta zëvendësuar? Dhe kur mungojnë mjekë në qendrën më të madhe spitalore, nëse largohesh disa kilometra nga Tirana mungesat e mjekëve specialistë janë më të mëdha.
Por nëse shikoni në lajmet e kryeministrit tonë shëndetësia po lulëzon, ndërkohë që në terren njerëzit sorollaten sa nga një spital në tjetrin./Top Channel