Skip to content
Bota

Bëjnë “armëpushim”, Mitsotakis ngushëllon Erdoganin pas sulmit në Stamboll

· 2 min lexim

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet e viktimave, për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe për popullin turk për sulmin e tmerrshëm në Turqi. Kyriakos Mitsotakis shkruan në postimin e tij se ishte i tronditur nga ngjarja dhe se terrorizmi nuk mbështetej nga Greqia.

“I tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i sulmit të tmerrshëm në Turqi. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave, Presidentin Erdogan dhe popullin turk. Greqia dënon pa mëdyshje çdo formë terrorizmi”.

Nga shpërthimi në Stamboll, të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 53 janë plagosur. Ngjarja u shënua në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim, por ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin, edhe pse paraprakisht dyshohet për një akt terrorist. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se akt “mban erë terrorizëm” dhe se autorët do të ndëshkohen.

Gjithashtu edhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka reaguar pas shpërthimit të ndodhur në Turqi, ku mbetën të vdekur 6 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Pas ngjarjes së ndodhur, në një status në Twitter, Jens Stoltenberg shprehet i keqardhur për gjithçka që ka ndodhur.

“Pamje tronditëse nga Stambolli. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë,”-shkruan ai.