Dita e parë e vitit të ri akademik i ka gjetur studentët pa mësues nëpër auditore. Studentët kanë gjetur nëpër fakultete vetëm fletëthirrje për t’ju bashkuar protestës së mësuesve të tyre. Pedagogët janë ngritur në protestë prej disa ditësh tashmë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ku ndër më kryesoret janë rritja e pagave dhe përmirsimi i kushteve të punës. Sipas pedagogëve këto kritere janë të panegociueshme dhe në rast se nuk plotësohen do të vazhdojë bojkoti nëpër universitete. Ato janë shprehur se ndihen keq që studentët nuk po e fillojnë vitin akademik siç duhet, por plotësimi i këtyre kërkesave që ato kanë parashtruar do t’iu siguronte dhe studentëve një arësim më cilësor. Ndërkohë ditën e sotme u përfol që edhe kryeministri i vendit Edi Rama mund të marrë pjesë në protestë, pasi u vu re një prani e gardës së Republikës.
Nga ana e tij kreu i Sindikatës Sandër Kovaçi tha se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.
“Në çdo universitet të Shqipërisë bëhet fjalë për bojkot. Prania është e lartë”, tha kreu i Sindikatës Sandër Kovaçi.
Ndërsa përsa i përket pranisë së Ramës në protestë Kovaçi shprehet se ‘Ishte mesa duke testuar situatën. Erdhi me duket për të bërë një inaugurim laboratori, por u larguan.”
Më tej ai shtoi se është bërë thirrje që bojkotimi të jetë i plotë.
“Mësim nuk bëhet, të gjithë janë dakord për bojkotin. Bojkoti do të jetë në mënyrë të përhershme. Nga kryeministri apo qeveria ende nuk kemi komunikim”, është shprehur ai.