Skip to content
Të Gjitha

Lija e majmunit tashmë emergjencë globale, arsyet pse epidemiologu Mehmeti është kundër vendimit të OBSH-së

· 3 min lexim

Lija e Majmunit është shpallur emergjencë ndërkombëtare nga OBSH, por ky vendim nuk ishte shumë i domosdoshëm sipas epidemiologut shqiptar, Ilir Alimehmeti.

Ai me anë të një statusi në rrjetet sociale ka deklaruar se etiketimi i kësaj sëmundje si një emergjencë globale nga ana e OBSH-së, ishte i panevojshëm.

Gjithashtu Alimehmeti thekson se transmetimi i sëmundjes është shumë i ulët dhe si rrjedhojë kurba e infektimeve bie vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejshme.

Mjeku sjell në vëmendje se shpallja e Emergjencës Ndërkombëtare më 23 korrik 2022 ndodhi kur tashmë rastet kishin filluar qartësisht rënien.

Reagimi i plotë:

“Nëse mund të zgjidhet, nuk ka nevojë për shqetësim dhe, nëse nuk mund të zgjidhet, shqetësimi nuk shërben për asgjë.”

Cit.: Dalai Lama

Në mënyrë krejtësisht të panevojshme dhe kundër vendimit të komitetit të ekspertëve të OBSH-së, drejtuesi i OBSH-së vuri veton më 23 korrik 2022, duke e shpalluar linë e majmunit një Emergjencë Ndërkombëtare të Shëndetit Publik (PHEIC – Public Health Emergency of International Concern).

Lia e majmunit është sëmundje e njohur mirë prej mbi gjysmë shekulli dhe një sëmundje që përkufizohet si “e vetëkufizueshme” që do të thotë:  në nivel individual: sëmundje që shërohet vetë pa ndihmë specifike në nivel komunitar: transmetimi i sëmundjes është shumë i ulët dhe si rrjedhojë kurba e infektimeve bie vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejshme.

Sipas raportit të fundit të përbashkët të ECDC-së (European Centre for Disease Prevention and Control) dhe OBSH-së vërejmë qartësisht se rastet kanë rënë fare qoftë në nivel Europian, qoftë në nivel Ballkanik.

Gjithashtu vërejmë qartë se shpallja e Emergjencës Ndërkombëtare më 23 korrik 2022 ndodhi kur tashmë rastet kishin filluar qartësisht rënien.

Nga ana tjetër, ECDC dhe OBSH na tregojnë se që nga 7 marsi deri më 13 shtator 2022 (mbi 6 muaj):  janë identifikuar 23.837 raste në 43 shtete në Europë;

98.6% e rasteve janë meshkuj, pra transmetimi ka qartësisht një model gjinor;

97% e rasteve janë meshkuj që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj (MSM), (kujdes të mos rrëshkasim në stigmatizim, por të jepen këshillat parandaluese të duhura);  86.2% e rasteve janë meshkuj në moshën 18-50 vjeç;  35% e rasteve janë HIV-pozitivë;  226 raste (0.9% e rasteve) kanë pasur nevojë për kujdes klinik (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre);

5 raste (1 ndër 4.767 raste) janë shtruar në terapi intensive (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre);  3 raste (1 ndër 7.946 raste) kanë humbur jetën (nuk është deklaruar statusi HIV i tyre).

Pra, miqtë e mi:  risku i infektimit për komunitetin e gjerë ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i ulët;

risku i infektimit për komunitetin e MSM-ve ka qenë i moderuar;  risku i sëmundjes së rëndë mbetet shumë i ulët.