Skip to content
Të Gjitha

Shkarkohet nga detyra drejtori i AKU-së në Korçë, mësohet emërimi i ri

· 2 min lexim

Shkarkohet nga detyra drejtori rajonal i AKU Korçë Adham Papadhami. Sipas burimeve bëhet me dije se letra e shkarkimit i është dërguar javën e kaluar, pa arsyetim.

Drejtori i ri i komanduar i AKU Korçë do të jetë Kujtim Agolli.

Ende nuk ka një informacion zyrtar se përse është marrë ky vendim, ndërkohë që ky institucion është vlerësuar ndër më aktivët vitin e kaluar nga drejtues të AKU-së.

Vlen të theksohet se siguria ushqimore në Shqipëri vijon të jetë në nivele shumë të ulëta.  Një pjesë e mirë e ankesave të qytetarëve bien në vesh të shurdhër.

Kjo për shkak se institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, japin informacion të cunguar, ose kur bëhet fjalë për skandale të mëdha nuk e bëjnë fare publike, duke na lënë dyshime se fshihen afera të tjera.

Kujtojmë rastin e bllokimit e 25 ton mish të infektuar me salmonelë dhe E-coli.  Ngarkesa u bllokua më 8 gusht të vitit 2019 në portin e Durrësit dhe subjekti që e kishte porositur ishte EHw.   Raporti nuk u bë publik nga AKU, ashtu siç e ka detyrim ligjor, por u fsheh.   Ishte iniciativa e “GazetaOra” dhe “Rehatfare”, të cilat siguruan raportin nëpërmjet burimeve jo zyrtare dhe publikuan skandalin gjatë muajit nëntor.

Pasi kreu analizat pranë ISUV, AKU urdhëroi bllokimin e mishit dhe kthimin mbrapsh të ngarkesës, e cila kishte ardhur nga Qipro.