Rritja e inflacionit reflektohet në një rritje të kostos së rikthimit të fëmijëve në shkolla. Tashmë, familjeve me fëmijë duke u rritur dhe me kuleta duke u zvogëluar, do t’i duhet një kosto minimale prej 9500 lekë për rikthimin…
Nëse keni një fëmijë që kthehet në shkollë, një gjë është e sigurt: kur bëhet fjalë për koston, blerja e furnizimeve që u nevojiten nxënësve mund të shtohet shpejt.
Dhe për shkak të inflacionit, disa prindër po rregullojnë sjelljet e tyre të blerjeve për t’u siguruar që fëmijët të kenë atë që u nevojitet.
Marrja e furnizimeve për kthimin në shkollë është diçka që disa prindër tani duhet ta planifikojnë me kujdes.
Për prindërit që tashmë rishikojnë buxhetet për të paguar për ushqimin, karburantet, furnizimi me mjete shkollore do të jetë pak më i vështirë këtë vit.
Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet kanë shënuar rritje rreth 25% krahasuar me vitin e shkuar. Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në shkollën e mesme thonë se planifikojnë të shpenzojnë gati 30 mijë lekë për blerje këtë vit, duke përfshirë veshje, këpucë, duke përjashtuar pajisjet elektronike.
Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë dhe t’i riblejnë gjatë vitit si produkte konsumi.
Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre është tkurrur, duke e argumentuar me uljen e numrit të fëmijëve dhe rritjen e bizneseve që tregtojnë mjete shkollore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë.
Në anën tjetër, në qendrat tregtare krijohet një kënd i veçantë për rikthimin në shkollë dhe që në ditët e para të shtatorit nisin fushatat “Back to School”.
Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet jo vetëm në dyqanet e vogla të formës kancelari, por edhe në një “luftë titanësh” mes qendrave tregtare. Dyqanet e vogla shprehen se shitjet kanë rënë ndjeshëm, ndërsa qendrat tregtare raportojnë që ky vit ka qenë i mirë në lidhje me tregtimin e artikujve shkollorë.
Burime pranë “ZED Kancelari”, biznes mbi 10 vite në tregun shqiptar, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat e shkollës. Këtë vit, pohojnë nga departamenti i shitjes, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 5000 lekë, edhe për fëmijët e kopshteve.
Operatorët pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thonë se shitjet kanë rënë ndjeshëm këtë vit.
“Vëmë re reduktim të numrit të fëmijëve në shkolla, të cilët u drejtohen kancelarive tona. Ne kemi disa pika në Tiranë dhe këtë vit, ndihet rënie e ndjeshme e shitjeve. Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë mjete më cilësore”, – pohojnë ata.
Nga kancelaria “Euro Office” në sheshin “Ëilson” pohojnë se kanë vënë re, jo vetëm një numër më të ulët të fëmijëve në klasat fillore, por edhe rënie të numrit të fëmijëve. Sipas tyre, prindërit shqiptarë kanë më pak fëmijë se më parë dhe kjo i penalizon automatikisht me rënien e numrit të klientëve të ardhshëm.
Përfaqësues nga “Jumbo Albania” pohojnë se këtë vit gama e produkteve për shkollë ka qenë më e larmishme dhe janë ofruar në çmime më të lira, në mënyrë që kushdo të ketë mundësi të blejë.
Nga Nova dhe Euro1, bëhet e ditur se produktet kancelarike nisin nga 160 lekë dhe vijojnë në çmime më të shtrenjta. Sipas tyre, prindërit kanë blerë më pak këtë vit, por produkte më cilësore.
Për to, kjo diferencë është vënë re te numri i artikujve të blerë për fëmijë: më parë bliheshin fletoret me pako, ndërsa këtë vit janë treguar më të kursyer, duke blerë pak dhe më cilësore.
Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime deri në 6000 lekë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9-vjeçar, pasi cikli fillor deri në klasën e pestë, librat i merr falas.
Megjithatë, duke qenë libra të përdorur, shpesh prindërit e këtij cikli sërish i blejnë, kosto e të cilave mund të variojë deri në 4000 lekë. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije.
Lapsat, fletoret, bojërat dhe letrat me ngjyra, janë pjesa tjetër e domosdoshme që duhet të blihen dhe u nevojiten. Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve shkon rreth 4000 lekë për çdo fëmijë.
Kjo duke llogaritur një kosto fillestare, sepse gjithmonë ka produkte që nevojiten në vijimësi të procesit mësimor. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës. Çmimi i tyre varion nga 1,500-10,000 lekë.
Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t’u shtojmë edhe çmimin e veshjeve, vihet re rritje çmimesh, në varësi të markave. Për shkollat private, kosto e konsiderueshme është ajo e uniformave, si dhe paketa e librave, të cilat janë kryesisht jashtë tarifës zyrtare të shkollës.
Rritja më e madhe e çmimeve është te fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletore të vogël para pandemisë ishte 29 lekë, tani për të njëjtën fletore paguani 39 lekë. Fletoret me cilësi më të mirë, të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim 50-80 lekë, tani janë rreth 150 lekë.
E njëjta gjë ndodh edhe me stilolapsat, apo edhe mjetet e tjera shkollore, që konsiderohen të rëndësishme dhe të domosdoshme.
Kancelaritë pohojnë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale më të lira dhe më të shtrenjta.
Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 9500 lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë blerë në tregje dhe jo në dyqane më cilësore.
Kjo kosto e ditës së parë ka rritje prej 10% krahasuar me përllogaritjen e një viti më parë, të bërë nga “Monitor”.
Shpenzimet bazë të shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme (sistemi publik):
INSTAT, ARSIMI MË I SHTRENJTË
Ky vit akademik është bërë më i shtrenjtë për të gjitha nivelet e studimit. Librat dhe mjetet shkollore kanë kushtuar më shumë që nga shtatori 2018.
Edhe shërbimet arsimore gjatë 2018 kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë. Ndikimin më të madh në këtë rritje e patën mjetet shkollore dhe librat në ciklin 9-vjeçar nga klasa e 5-të deri tek e 9-a.
Nga të dhënat e INSTAT, shihet se volumet e tregtisë me pakicë të librave dhe artikujve shkollorë janë rritur në 2021. Volumet e tregtimit të artikujve shkollorë u rritën me 2.6% në ndryshim vjetor, ndërsa në muajt korrik shtator ndryshimi është më i lartë.
Prindërit po shpenzojnë dyfish për furnizimet shkollore këtë vit
Një studim i ri zbuloi se blerjet për shkollë do të arrijnë shumës e afro 700 dollarëve për disa familje. Një studim i fundit i kryer nga Savings.com raportoi se një prind me të ardhura mesatare pritet të shpenzojë një total prej 697 dollarësh për furnizimet shkollore për vitin shkollor 2022-‘23.
Savings.com anketoi mbi 500 prindër, duke i pyetur se sa presin që inflacioni dhe çmimet e larta të ndikojnë në shpenzimet e tyre për rikthimin në shkollë, në krahasim me vitet e mëparshme.
Kostot e furnizimit të shkollës janë në përputhje me çmimet në rritje të ushqimeve, benzinës dhe faturave të shërbimeve. Duke e ditur këtë, prindërit po përgatisin llogaritë e tyre bankare për një rritje të buxheteve të blerjeve në shkollë.
Në vitin 2021, një në katër prindër të anketuar shpresonte se shpenzimet e kthimit në shkollë do t’i sillnin rreth 150 dollarë në total. Këtë vit, vetëm 11% e prindërve besojnë se do t’i afrohen kësaj, sipas sondazhit. Mbi 40% e prindërve mendojnë se do të shpenzojnë shumë më tepër për vitin shkollor 2022-2023.
Po pse po shpenzohet më shumë? Inflacioni është pjesë e shkakut, por kalimi i fëmijëve që kthehen në mësimin personal ka bërë që prindërit të shpenzojnë më shumë.
Prindërit po planifikojnë të blejnë veshje dhe këpucë për fëmijët, gjë që merr një pjesë të madhe të tortës për shpenzimet e rikthimit në shkollë, që llogaritet mesatarisht 160 dollarë për fëmijë. Elektronika dhe pajisjet bazë shkollore përbëjnë pjesën tjetër.
“Meqenëse studentët janë kthyer kryesisht në mësimin personal, ata kanë më shumë gjasa të kenë nevojë të investojnë në veshje dhe pajisje tradicionale shkollore, në vend të pajisjeve elektronike të nevojshme për mësimin virtual”, shpjegon studimi.
Me rritjen e çmimeve të furnizimeve shkollore, disa prindër janë të shqetësuar se nuk do të jenë në gjendje t’u ofrojnë fëmijëve gjithçka që u nevojitet për vitin shkollor.
Në një studim të fundit të kryer nga Morning Consult, mbi 2000 prindër u anketuan në lidhje me blerjet në shkollë. Vetëm 36% e tyre thanë se mund të përballojnë blerjet e fëmijëve të tyre në shkollë – në rënie nga 52% vitin e kaluar – që panë gjithashtu një rritje prej 5% të prindërve që shprehnin ankth për blerjet në shkollë.
Rreth 44% e prindërve i thanë Spending.com se do të kërkonin ndihmë nga miqtë, familja dhe organizatat bamirëse për të ulur kostot e shpenzimeve për shkollën.
Në një anketë nga Qualtrics for Credit Karma, 42% e prindërve me fëmijë që kthehen në shkollë planifikonin të merrnin borxhe për të paguar blerjet në shkollë./MONITOR