Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nëse do të aprovohet vendimi për rikthimin e basteve online do të bëhet me frymën e kompanive ndërkombëtare me transparencë e ligjshmëri.
Kujtojmë që lotaritë dhe bastet sportive në Shqipëri zyrtarisht janë të ndaluara që nga 1 janari i 2019- ës.
“Fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie, që pavarësisht arrestimeve, dënimeve, në një pjesë të caktuar edhe gjykatat kanë dhënë kontributin e tyre negativ… sidoqoftë nuk ka rënë si aktivitet; nuk ka rënë si numër pjesëmarrësish, e bën të domosdoshëm këtë reflektim që bëjmë sot,” deklaroi Rama.\
Sipas tij, aktiviteti është zhvilluar në të zezë nga elementë kriminalë.
“Me gjithë konsultat me ekspertë të botës dixhitale rezulton e pamundur të bllokohet sistemi. Kjo më bën të hapur ndaj kësaj zgjidhjeje se është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duar të njerëzve që shkelin ligjin dhe kanë rezultuar me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar,” shtoi ai.
Gjithashtu kryeministri theksoi se ndërhyrja do të ishte një zgjidhje që do të ndihmonte ekonominë, duke pranuar se bastet online qarkullonin 5 milionë euro në vit. Ai foli gjithashtu për licensim të kompanive ndërkombëtare në Shqipëri.
Katër vjet pasi i shpalli të paligjshme lojërat e fatit, kryeministri Edi Rama tha se aktiviteti kishte vazhduar njësoj në të zezë – duke pranuar dështimin e qeverisë së tij për ndalimin e aktivitetit si dhe legalizimin e basteve online. Industria e lojërave të fatit ishte një “kalë beteje” i fushatës elektorale të vitit 2013 që solli në pushtet kryeministrin Edi Rama. Operacioni i parë i qeverisë së tij, “Fundi i Marrëzisë” targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit dhe në vitin 2015, qeveria miratoi një ligj që u prezantua si radikal për frenimin e kësaj industrie, shkruan BIRN.
Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018.
Në takimin me përfaqësuesit e federatave, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e konsideroi rihapjen e kontrolluar të lojërave të fatit si mbrojtje ndaj konsumatorit.
“Konsumatori do të jetë i mbrojtur nga shteti dhe nuk mund të të kërcënohet nga një kriminel që drejton këtë aktivitet,” tha ai duke referuar numrin e lartë të çështjeve penale të hapura për shkak të borxheve të basteve.
Ndërkohë opozita e cilësoi hipokrizi vendimin e kryeministrit, duke i kujtuar aksionin e mbylljes së lojërave të fatit në fillimet e qeverisjes së tij, shkruan BIRN.
“Duam t’i kujtojmë zotërisë së tij, që ua kushtonte nënave dhe motrave mbylljen e basteve se, sot nëpër Shqipëri ka shumë nëna dhe motra veshur në të zeza nga përplasja që nisi në vitin 2013 mes grupeve rivale në këtë biznes,”tha sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, në një deklaratë për shtyp.