Një incident ekologjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30, kur një sasi e madhe e ujërave të zeza është derdhur në pjesën e lumit të Bunës që i përket Shqipërisë, mbi kullën e rojës së Shën Nikollës.
Sipas mediave malazeze kjo kërcënon situatën ekologjike në të dy degët e lumi.
Ndërkohë që disa peshkatarë nga Ulqini u shprehën për “Vijesti” se nuk kanë mundur të peshkojnë për shkak erës së keqe. “Kjo është bërë vazhdimisht gjatë natës që nga fillimi i verës. Janë ujërat e zeza nga kolektori për qytetin e Velipojës, që derdhen në Bunë. Ato ujëra të zeza, kryesisht nga kolektori, kalojnë nëpër ujërat tona”, pohon një nga peshkatarët.
Peshkatarët kërkojnë nga autoritetet shtetërore që të bëjnë një njoftim në lidhje me ngjarjen e cila, sipas tyre, shkatërron florën dhe faunën e Bunës.
Kujtojmë që prej 25 vitesh autoritetet vendore, por edhe ata qendrore, kanë përsëritur premtimin për ngritjen e një impianti të pastrimit të ujërave të zeza të qytetit për të shmangur ndotjen e Lumit Buna, premtim ky që, sipas shoqatës mjedisore “Eko Mendje’, vazhdon të jetë i pambajtur.
Ujërat e zeza të qytetit të Shkodrës shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Njësia administrative “Ana e Malit”, me 10 fshatrat e saj dhe me rreth 6 mijë banorë, sipas drejtuesit të shoqatës “Ana e Malit”, Ruzhdi Podës, është e para që preket nga ndotjet që sjell me vete Lumi Buna.