Rama gjatë konferencës së sotme i ka mëshuar nismës për Ballkanin e Hapur. Ai nuk la pa përmendur Kosovën që është kundër kësaj nisme, duke i thënë se nëpërmjet dialogut mund të binden vendet që nuk e njohin si shtet të pavarur, në mënyrë që të he në NATO.
Rama: Rusia ka një potencial ndikimi deri në një përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të jemi shumë të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqen. Kjo është jo një arsye për të kaluar në prehrin joshës por fatal të nacionalizmave dhe të qëndrimeve luftë nxitëse, por është një arsye më shumë për të insistuar te mekanizmat e ndërtimit të paqes.
Ata që nuk duan paqe dhe dialog me Serbinë, duan që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. Pyetja e thjeshtë është si do bëhet anëtare e NATO-s? Spanja është në NATO, Rumania, Sllovakia. Si mund ta bindim Spanjën dhe këto vende të tjera që të pranojnë të fusin në NATO një vend që nuk e njohin përveçse njohja të vijë përmes shtyrjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. A e dini Rusia deri dje ishte në partneritetin për Paqe të NATO-s, Serbia është në partneritetin për paqe të NATO-s. A e kuptoni që Kosovën nuk e fusim dot as në Partneritetin për Paqe. Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur, te fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze dhe kur janë komplet në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë.