Trafiku i drogës duket se nuk ka shkuar aq mirë për shqiptarin në shtetin fqinj Itali, pasi është arrestuar nga forcat e policisë italiane “Carabinieri”. Karabinierët në Itali e kanë kapur mat 34-vjeçarin shqiptar në një mënyrë të kamufluar, pasi kanë përdorur justifikimin se janë postierë të një poste ekspres. Ata janë shtirur sikur do duhet t’i dorëzojnë një paketë, për të hyrë në shtëpinë e tij dhe më pas për ta vënë në pranga.
Kjo erdhi pasi policia italiane kishte dyshime se shqiptari me inicialet G.N., merrej me trafik të drogës dhe bastisja ndodhi pasi ishte planifikuar më parë për të goditur rrjetin që furnizonte me lëndë narkotike të tipit kokainë dhe kanabis zonën ku ai jetonte.
Policia e kishte mbajtur nën vëzhgim shtëpinë e të arrestuarit dhe ndërhyri pasi bllokuan një 30-vjeçar i cili ishte klient i shqiptarit, të cilit iu gjet me vete 100 gram drogë e tipit hashash dhe më pas rrëfeu skemën si funksiononte rrjeti.
Ndërkohë në banesë janë gjetur 170 gramë hashash, të fshehura në dhomën e gjumit, ndërsa në dy shishe kishte edhe rreth 50 doza të izoluara me nxehtësi (80 gramë) kokainë, gati për shitje.
Gjithashtu u sekuestruan dy peshore elektronike dhe materiali i përshtatshëm për paketim.