Kreu i opozitës Sali Berisha gjatë takimit të sotëm mke kryetarët e degëve të Tiranës ka krahasuar Shqipërinë me Sri Lankën duke e lidhur me situatën aktuale në këtë të fundit. Berisha u shpreh se ne ngjajmë me Sri Lankën si dy pika uji, duke e argumentuar me faktin se borxhi publik te ne është rritur më shumë se atje, ashtu si edhe çmimet.
“Ju i keni ndjekur zhvillimet. Keni ndjekur zhvillimet në Sri Lanka. Ju e patë që populli atje përmbysi pushtetin e Presidentit. Mediat më serioze të botës kanë krahasuar Shqipërinë me Sri Lankën. Ju them juve që në shumë aspekte ngjasim si dy pika uji. Ajo që patë në Sri Lanka dhe kjo që po ndodh në Shqipëri, kanë të njëjtat shkaqe. Sri Lanka para dy vitesh kishte borxhin 91%, sot e ka 190%. Shqipëria para një viti e kishte borxhin 81%, sot e ka 107%. Pra, rritja e borxhit në Shqipëri është më e shpejtë se në Sri Lanka, për të përfunduar me 120-130% në fund të vitit. Në Sri Lanka paratë e vjedhura ishin futur me valixhe në pallatin presidencial, në Shqipëri ato vendoset në kuotat bankare të të vdekurve, pensionistëve, plus 189 milionë që përfundojnë në bankat ofshore.
Në Shqipëri, më shumë se në Sri Lanka, u rritën çmimet vetëm nga vjedhja e qeverisë. Eurostat ka treguar dhe faktuar se djathi, qumështi, veza, vaji, janë 7% më shtrenjtë në Shqipëri, se në mesataren e vendeve të BE, që kanë minimumi 5 herë më të madhe rrogën se shqiptarët. Kjo, sepse i rrit qeveria me bordet e veta për të vjedhur qytetarët. Mjafton rritja e TVSH me rritjen e çmimit dhe qeveria të fitojë të paktën 340 milionë dollarë në tre muaj, dhe këto jo që s’ua kthen me indeksim të pagave qytetarëve, pro me një kurajo kriminale, me një cinizëm ekstrem, sjell me urgjencë ligjin në parlament dhe i ndan me klientelën”, tha Berisha.