Në orët e para të mëngjesit, nga katedralja tashmë e shpëtuar e Parisit, Notre Dame, presidenti Macron është shprehur se do ta rindërtojnë përsëri dhe për këtë ka kërkuar ndihmë nga e gjithë bota.
Shumë shpejt kërkesës së tij i janë përgjigjur dy nga figurat më të rëndësishme të modës duke dhuruar në total 300 milionë euro për rindërtimin e godinës.
Nga ajo që është bërë e ditur 100 milionë euro janë dhuruar nga miliarderi francez François-Henry Pinault i cili është pronar i Kering group, ku bëjnë pjesë linjat e famshme të modës, Gucci dhe Yves Saint Laurent.
Mirëpo nuk ka mbetur pas edhe një tjetër miliarder, pikërisht Shefi ekzekutiv i LVMH, Bernard Arnault, ofroi 200 milionë euro për të ringritur simbolin e Francës.
“Familja Arnault dhe Grupi LVMH, në solidaritet me këtë tragjedi kombëtare, janë të përkushtuar për të ndihmuar në rindërtimin e kësaj katedraleje të jashtëzakonshme, simbol i Francës, trashëgimia dhe uniteti i saj. Ata do të dhurojnë një shumë totale prej 200 milionë euro për fondin e dedikuar për rindërtimin e kësaj pune arkitekturore, e cila është një pjesë thelbësore e historisë franceze. Ndërkohë, Grupi i LVMH vë në dispozicion të shtetit dhe autoriteteve përkatëse të gjithë ekipet e tij, duke përfshirë specialistë krijues, të arkitekturës dhe të financave, për të ndihmuar me punën e gjatë për rindërtimin dhe mbledhjen e fondeve, që tashmë është në progres e sipër”, shkruhej në deklaratën zyrtare, shkruan Yahoo.
Tashmë siç edhe është raportuar struktura e ndërtesës fatmirëisht nuk është dëmtuar, gjë që e lehtëson disi punën në rindërtimin e saj.