Mbrëmjen e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Demokratike, duke mundur kështu në këtë garë kandidatin tjetër në listë, Ibsen Elezi.
Berisha ka siguruar mbi 93.45% të votave në këtë garë. Në total kanë votuar 43.680 demokratë, 40.840 kanë votuar për Berishën. 2532 kanë votuar për Ibsen Elezin.
Në fjalimin e parë pas fitores së zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kujtuar edhe votimin një vit më parë të zgjedhjes së Bashës si kryetar partie.
Ai tha se u pyet nga gazetarët nëse do të rikthehej ndonjëherë në krye të partisë dhe nuk e kishte përjashtuar si mundësi.
“Më kujtohet si sot në 13 qershor të një viti më parë kur isha në cep të kësaj salle dhe pasi votova gazetarët më pyetën nëse do të rikthehem ndonjëherë në krye të PD.
Unë u përgjigja: Never say never (kurrë mos thuaj kurrë). Sot u them të gjithë demokratëve “never say never””, tha Berisha. Gjithashtu fund ai pati një mesazh edhe për rivalin e tij në garën për kryetar të PD-së sot.
“Ju falenderoj ju të gjithë që e zbukuruat këtë fitore të PD-së. Një përshëndetje të veçantë për Ibsen Elezin, rivalin tim, i cili si demokrat i vërtetë me integritet zhvilloi një garë të qytetëruar”, theksoi më tej kreu i demokratëve.
Vlen të thkesojmë se Sali Berisha rikthehet për herë të tretë si kryetar i Partisë Demokratike. E ka bërë këtë edhe dy herë të tjera në karrierën e tij 32 vjeçare në politikë. Fillimisht në vitin 1991, në ditët e para të krijimit të kësaj force politike. Këtë post e la formalisht një vit më vonë teksa u zgjodh President i vendit dhe në krye të PD-së erdhi Eduard Selami e më pas Tritan Shehu.
Ndërkohë që rikthimin e dytë e ka në vitin 1997.
Pasi PD u largua nga pushteti dhe shumë njerëz e braktisën ai nisi gjithçka nga e para, mori një PD të rrudhur si asnjëherë më parë dhe pas tetë vitesh e riktheu në pushtet.
Në vitin 2013 humbi zgjedhjet dhe përmes një deklarate para mediave mori përsipër të gjitha përgjegjësitë duke lënë drejtimin e partisë dhe pas një gare mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, ky i fundit u votua si kryetar i PD-së.
Por pas 9 vitesh, falë edhe një vendimi të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi i PD-së pas vendimit të Departamentit të Shtetit që e shpalli ‘non grata’, Berisha rimori partinë.