Ndërkohë që ndodhemi në prag të sezonit turistik një lajm i mirë vjen nga shteti fqinj grek për shqiptarët.
Greqia ka vendosur të heqë të gjithë dokumentet që lidhen me Covid për qytetarët shqiptarë si kusht për të hyrë në vendin fqinj.
Theksojmë se lajmi është bërë i ditur nga Ministria jonë e Jashtme.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se autoritetet në Greqi kanë vendosur, që për udhëtimet drejt këtij vendi, nuk do të kërkohen dokumente specifike në kushtet e Covid-19”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë. Gjithashtu Greqia ka vendosur të lehtësojë masat e zbatuara në kuadër të luftimit së pandemisë së COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris deklaroi se nga data 1 maj do të hiqet detyrimi për të paraqitur certifikatë vaksinimi të njohur si “COVID pass”, e cila aplikohet në ambiente të mbyllura, kafene dhe restorante.
Ai shtoi se nga data 1 maj do të hiqet detyrimi i studentëve për të kryer testin për COVID-19 një herë në javë. Plevris tha se do të ndërpriten të gjitha kufizimet e aplikuara në kuadër të masave në manifestimet fetare.
“Kufizimet në fuqi për normat e banimit do të anulohen nga data 31 maj. Kërkesa për maska në ambiente të mbyllura do të vazhdojë deri më 31 maj”, tha Plevris. Të gjitha masat do të rishqyrtohen nga 1 shtatori.