Lufta në Ukrainë edhe pak dhe bën dy muaj që nga fillimi i saj me datë 24 shkurt.
Ukraina ka përjtuar një dhimbje të madhe, ku masakrat e rusëve kanë qenë massive, mjafton të përmendim atë në qytetin e Buchas, ku akoma po zbulohen varre masive. Por përveç humbjeve njerëzore dhe dhimbjeve të pakrahasueshme shpirtërore, ekonomia e Ukrainës ka përjetuar një tronditje nga lufta.
Banka Botërore ka dhënë alarmin se ekonomia e saj parashikohet të përgjysmohet këtë vit, për shkak të pushtimit rus, i cili ka shkatërruar fabrika dhe ndërtesa të mëdha banimi, si dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga vendi. Sipas një raporti të Bankës Botërore, prodhimi ekonomik i Ukrainës pritet të tkurret për 45 për qind, ndërsa shkalla përfundimtare e rënies ekonomike do të varet nga “kohëzgjatja dhe intensiteti i luftës”.
“Pushtimi rus po i jep një goditje masive ekonomisë së Ukrainës dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë”, tha Anna Bjerde, nënkryetare e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Rusia ka shkatërruar Mariupolin, një port kyç të Ukrainës në Detin Azov, dhe ka dëmtuar rëndë qytetet e tjera të mëdha, duke përfshirë Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës për nga popullsia.Rusia ka bombarduar gjithashtu aeroporte dhe linja hekurudhore, ndërsa shumë ura janë hedhur në erë.Më shumë se 10 milionë ukrainas, ose gati një e katërta e popullsisë, besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre, përfshirë më shumë se 4 milionë që kanë kaluar kufijtë e Ukrainës.
Në një raport më vete, Banka Botërore tha se ekonomia e Rusisë pritet të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.