Një deputet në parlamentin shqiptar paguhet duke filluar nga 156 mijë lekë në muaj pa llogaritur përfitimet e tjera financiare, të cilat u jepen atyre për naftën që konsumojnë, faturat e telefonit, pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dieta të ndryshme.
Dhe këtë na e thotë vetë Kuvendi i Shqipërisë në sajë të raportit të përfitimeve financiare të deputetëve për periudhën janar-shkurt ku rezulton se të 140 ligjvënësit përfshirë edhe ata opozitarë kanë marrë plot 28 milionë lekë.
Ndërkohë deputetët që dogjën mandatet do të marrin gjysmë rroge edhe për 3 vitet e ardhshme.
Nga raporti na del se një deputet krahas pagës fikse, mesatarisht çdo muaj përfiton shtesë edhe rreth 60 mijë lekë pagesa duke i shkuar paga në rreth 200 deri në 250 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë benefitet që ligjvënësit shqiptarë përfitojnë janë dhe trajtimet financiare edhe të paktën 3 vite më pas.
Kështu deputetët e opozitës, do vazhdojnë të trajtohen financiarisht nga buxheti i shtetit edhe pse janë jashtë parlamentit.
Ligji për trajtimin financiar të tyre parashikon dy paga shpërblim dhe gjysmë page çdo muaj për aq kohë sa kanë ushtruar mandatin e deputetit.
Deputetët që kanë marrë për herë të parë mandate në 2017, do të marrin gjysmë page pra rreth 80 mijë lekë për 18 muaj me radhë, ndërsa ata që kanë më shumë se 1 mandat deputeti, trajtimin e përfitojnë për 3 vite.
Ashtu siç thekson dhe “Gazeta Shqiptare” një pjesë e deputetëve i janë drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të marrë pagesën shtesë.
Emrat e deputetëve që bien në sy në këtë listë janë, ish-kryeministri Sali Berisha si dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Sipas ligjit 8097, i vitit 1996, ish-deputetët përfitojnë pagesë kalimtare pas mbarimit të mandatit.
Ligji parashikon se shuma shkon në masën 50% të pagës bruto të deputetit për aq vite sa kanë patur funksionin e deputetit, por jo më shumë se 3 vjet.
Rroga kalimtare merret nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili i paguan duke filluar nga muaji i tretë i mbarimit të mandatit.
Kjo pasi për dy muajt e parë ata kanë përfituar rrogën e plotë nga Kuvendi.
Kësisoj, rroga kalimtare fillon nga 21 prilli kur bëhen dy muaj nga djegia e mandateve nga opozita.
Ndërkohë, një pjesë e deputetëve të opozitës kanë bërë padi në Gjykatën Administrative kundër Kuvendit, duke kërkuar pagat e muajve kur ata kanë qenë në bojkot parlamentar.