Një fëmijë dy vjeçar ka vdekur dhe katër persona janë plagosur pasi trupat ruse bombarduan fshatin ukrainas Novi Petrivtsi, në veri të Kievit, tha policia rajonale.
Në një deklaratë në Facebook, policia tha se forcat ruse qëlluan me artileri të rëndë në shtëpitë e banimit në lagjen Vyshhorod.
Një ndërtesë banimi u shkatërrua dhe ndërtesat fqinje të banimit u dëmtuan në sulmin e sotëm, tha ajo.
Në shumë qytete ukrainase janë dëgjuar të shtunën sirenat. Për civilët është shpesh e pamundur të largohen nga zonat e luftimeve. Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshtshuk deklaroi, se sulmet e trupave ruse kundër qytetit Mariupol kanë penguar sërish të premten dërgimin në siguri të civilëve nga qyteti port juglindor. Sipas të dhënave ukrainase aty kanë humbur jetën më shumë se 1500 civilë nga shpërthimi i luftimeve, dhe se në rajonin e Kievit ushtarët rusë kanë penguar kalimin e autobusëve me civilë.
Sipas Vereshtshuk banorët kanë mundur të largohen përmes korridoreve humanitare në zonat veriperëndimore të Kievit, nga Butsha, Hostomel, Vorsel, dhe fshati Kosarovytshi. Në Isjum, Mariupol dhe Volnovaha nuk ka qenë i mundur evakuimi. Të premten mundën të vendoseshin në siguri 3800 vetë. Qindra mijëra ukrainas të tjerë janë në qytete të rrethuar nga trupat ruse. Edhe pala ruse ka raportuar për vështirësi në evakuime.