Një tjetër “shpi bari” është zbuluar mbrëmjën e sotme në Tiranë.
Nuk është hëra e parë, pasi pak javë më parë një tjetër banesë e përshtatur për kultivim narkotikësh u zbulua pranë ish-parkut të autobuzave ku u arrestua nipi i Emiljano Shullazit. Pritet që policia të dalë me njoftim zyrtar në orët në vijim. Si rezultat është arrestuar një 31 vjeçar i cili kujdesej për lëndën narkotike.
Njoftimi i Plotë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugano 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me OSHEE.
Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.
Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen pajisje për kultivimin e kanabisit, llamba dhe bimë narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas në pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Sotir Caci”, kishte përshtatur banesën e marrë me qira, për kultivim të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugano 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. N., 32 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga banesa të cilën kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, duke u hedhur nga kati i tretë.
Gjatë kontrollit të kësaj banese, në rrugën “Sotir Caci”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, llamba dhe 81 vazo me bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.