Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko i ka shkruar një letër Papa Françeskut, duke i kërkuar që të vizitojë qytetin pas sulmeve të njëpasnjëshme nga trupat ruse. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.
Klitschko i shkroi Papës më 8 mars, duke i thënë se prania e tij në Kiev “është çelësi për shpëtimin e jetëve dhe hapjen e rrugës drejt paqes në qytetin tonë, vendin dhe më gjerë”.
Zëdhënësi i Vatikanit pranoi marrjen e letrës, por nuk tha nëse Papa do të vizitonte Kievin apo do të merrte pjesë në një video-konferencë.
Ai tha se Françesku qëndronte me zemër “afër vuajtjeve të qytetit dhe njerëzve të tij, me ata që duhej të iknin dhe me ata që punonin në administratën e qytetit”.
Në një intervistë me Associated Press, pas një beteje rraskapitëse me forcat ruse në periferi të qytetit, ish-kampioni i botës në boks dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko heshti për disa sekonda kur u pyet nëse kishte plane për të evakuuar civilët nëse trupat ruse arrinin të merrnin Kievin.
“Ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse të gjitha rrugët janë të bllokuara. Për momentin ne jemi të rrethuar”- tha ai.
Gjatë së dielës janë shënuar një numër në rritje i sulmeve ajrore në të gjithë vendin. Zyrtarët thanë se raketa balistike ruse janë lëshuar edhe nga Bjellorusia fqinje. Për herë të parë që nga nisja e pushtimit, sirenat e paralajmërimit për sulm ajror u dëgjuan në qytetin lindor të Dnipro. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi pak më parë se ka pësuar humbje të konsiderueshme pas katër ditësh luftime.