Rusia ka hapur zyrtarisht tashmë luftën kundrejt Ukrainës.
Vendi i parë i Natos që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme është Lituania.
Presidenti i Lituanisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Gitanas Nausėda thotë se ka në plan të dërgojë ushtrinë për të mbrojtur kufijtë e saj në përgjigje të “shqetësimeve dhe provokimeve të mundshme për shkak të forcave të mëdha ushtarake të grumbulluara në Rusi dhe Bjellorusi”.
Ndërkohë Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë – e cila kufizohet me Rusinë – i tha BBC Neës “ne do ta ndihmojmë Ukrainën me të gjitha mjetet që mundemi”, duke përfshirë mbështetjen politike dhe duke dërguar armë.
Kallas thotë se “duhet të bëjmë gjithçka në nivel BE dhe NATO që ky agresion të mos zgjerohet”.
Ajo ka këshilluar estonezët të qëndrojnë të qetë dhe thotë se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim në kufijtë e Estonisë.
Vladimir Putin e urdhëroi në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës nisjen e mësymjes në Ukrainë, dhe granatat e raketat e para u lëshuan vetëm disa minuta më vonë. Sirenat e emergjencës gjëmuan në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Të tmerruar, njerëzit kanë nxituar të largohen prej andej. Një numër i madh makinash janë parë nëpër rrugë, teksa paniku i ka përfshirë banorët e Kievit.
Ata që nuk janë larguar, iu drejtuan me nxitim bodrumeve, ndërsa stacionet e metrosë së Kievit gjithashtu raportohet se po kthehen në bunkerë të improvizuar. Dëshmitarë okularë i kanë thënë CNN se stacionet se metrove janë mbushur me njerëz, që kanë marrë sasi të mëdha ushqimi me vete.