Dy persona kanë rënë në pranga nga Policia e Kavajës, dhe një tjetër është proceduar pasi në një lokal në Golem lejonin përdorimin e drogës dhe mbajtjen e lojërave të fatit. Sipas informacioneve të arrestuarit janë pronari i lokalit: G.C., 30 vjeç kamarieri 17-vjeçar A.SH. Ata i shisnin drogë shtetasit M.B., i cili do të hetohet në gjendje të lirë.
Gjithashtu është sekuestruar një telefon dhe një sasi lënde narkotike. Në telefon u gjetën dhe programe për lojëra fati.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për përdorim droge dhe lotari të palejuara.
Arrestohen në flagrancë pronari i lokalit dhe kamerieri, procedohet penalisht një shtetas tjetër.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij, për përdorim droge dhe për lojëra fati, specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Kavajë kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– G. C., 30 vjeç, banues në Golem, Kavajë, pronari i lokalit, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Punësimi i paligjshëm”;
– A. Sh., 17 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi M. B.
Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë pasi në lokalin në pronësi të shtetasit G. C., shtetasi A. Sh., i punësuar si kamerier, i ka shitur një sasi lënde narkotike shtetasit M. B.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në aparatit celular të shtetasit A. Sh. u gjetën programe për lojëra fati.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.