Një situatë e pazakontë paraqitet në Fier, ku shpendët e ngordhur kanë pushtuar një kanal kullues anash rrugës nacionale Fier-Patos në zonën Industriale të Portëzës.
Theksojmë se kjo gjendje mund të jetë një burim infeksionesh për banorët e zonës pasi nuk dihet origjina e shpendëve dhe nëse kanë pasur apo jo sëmundje.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit Arben Vroja është shprehur se nuk është kompetenca e institucionit që ai drejton por e IKMT në bashkinë e Fierit që të marrë masa për këtë situatë alarmante.
Por ana tjetër të kundërtën pretendon kreu i IKMT në bashkinë e Fierit Juljan Proçi i cili përgjegjësinë për këtë situatë ia lë Agjencisë për Ruajtjen e Mjedisit.
Kujtojmë se gripi i shpendëvë, prek gjithashtu shumë lloje shpendësh shtëpiake, përfshirë pulat, rosat, gjelat dhe patat.
Shkaktohet nga viruset e gripit të tipit A dhe ka disa nëntipe të viruseve të gripit që mund të infektojnë zogjtë, shkruan faqja focus.it.
Ky grip prek edhe njerëzit, madje ka pasur ndër vite, raste infektimi që kanë ndodhur për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me zogjtë e sëmurë ose të ngordhur që e kanë transmetuar virusin nëpërmjet pështymës, mukusit dhe feces.
Virusi, në fakt, mund të infektojë njerëzit përmes pikave të shpërndara në ajër dhe ose sipërfaqeve kontaminuese të prekura nga njerëzit, të cilët nuk mbajnë mjete mbrojtëse të përshtatshme si doreza ose maska të cilët më pas infektohen duke prekur gjërat e infektuara me duar, gojë, sy ose hundë.
Kur viruset e gripit të shpendëve infektojnë njerëzit, ka simptoma pak a shumë të dukshme që prekin kryesisht traktin respirator, ethe dhe kollë, zakonisht, por edhe pneumoni, vështirësi të rënda në frymëmarrje dhe, në rastet më të këqija, vdekje.