Shumë vende po lehtësojnë masat anti-Covid, ndërkohë që bëjnë vaksinimin me ‘dorë të hekurt’.
Me qëllim që të mos zbehet efektiviteti i vaksinave Agjensia Shëndetësore e Suedisë ka rekomanduar që qytetarët 80 vjeç e më të vjetër të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit.
Doza e katërt rekomandohet për të gjithë personat që jetojnë në shtëpi të kujdesit apo ata që marrin shërbime asistence në shtëpi.
Ajo duhet të administrohet të paktën katër muaj pas dozës përforcuese, tha Agjencia Shëndetësore.
Kujtojmë se Suedia më herët gjatë këtij viti shënoi shifra rekorde të infektimeve, teksa varianti Omicron i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në mbarë shtetin.
Por, autoritetet suedeze kanë hequr kufizimet, duke argumentuar se simptomat më të buta nga varianti Omicron dhe fushata e imunizimit me doza përforcuese, kanë ulur presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor. “Doza përforcuese rrit mbrojtjen. Prandaj, ne besojmë se personat 80 vjeç e më të vjetër do të përfitojnë nga një dozë e dytë përforcuese”, tha epidemiologu Anders Tegnell.
Agjencia Shëndetësore suedeze tha se dozat përforcuese duhet të jenë të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Suedia pezulloi testimin masiv për COVID-19 madje edhe për ata persona që shfaqin simptoma të infeksionit me koronavirus, duke argumentuar se kostoja dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më.
Vendi skandinav mbylli të mërkurën qendrat e testimit të vendosura në sheshet e qytetit që gjendeshin kudo gjatë pandemisë.
“Kemi arritur në një pikë ku kostot dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më. Nëse do të kishim testime të gjera për të gjithë personat që kanë COVID-19, kjo do të thoshte gjysmë miliardë kruna në javë (rreth 55 milionë dollarë) dhe 2 miliardë në muaj (220 milionë dollarë)”, deklaroi në fillim të kësaj jave drejtoresha e Institutit Suedez të Shëndetit Publik, Karin Tegmark Wisell.