Trafikun ndërkombëtar të drogës nuk e ka ndalur as pandemia. Në një intervistë për RaiNews, eksperti italian Vincenzo Musacchio tha se pavarësisht pandemisë së Covid-19 e izolimit të vendeve, trafikantët gjetën metoda të reja për të trafikuar lëndët narkotike, kryesisht nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës. Sipas Musacchios, tashmë nuk përdoreshin sheshet, qendrat tregtare apo ‘cepat e rrugicave’ për të shitur kokainën, por e dërgonin atë direkt e në shtëpitë e klientëve që kishin. Eksperti përmend edhe vendin tonë duke vënë në dukje se Shqipëria vijon të mbetet një vend tranzit për të trafikuar kokainën drejt Evropës. Gjatë kufizimeve të pandemisë shitja online është rritur kudo, tregon ai. Blerësi paguan për lëndën narkotike dhe e porosit atë përmes rrjeteve sociale ose mesazheve. Eksperti shton më tej se një rast i shitjeve online është platforma Hydra, një nga tregjet më të mëdha në rrjetin e trafikut të drogës, përmes së cilës është bërë i mundur trafikimi i lëndëve narkotike për në vendet evropiane. Heroina, nga ana tjetër, sipas ekspertit garantohet nga Afganistani, i cili prodhon 96% të opiumit në botë, lëndë e parë për marrjen e heroinës. Me ardhjen e talebanëve, ai shton se vlerësohet se prodhimi do të rritet më tej.
Intervista e plotë:
A e ka frenuar pandemia trafikun e drogës dhe krimin e organizuar ndërkombëtar?
Mafia nuk ndalet në aktitivitetin e saj ndërkohë që bota është ende e zënë duke u marrë me pandeminë dhe pasojat e saj në nivel politik, ekonomik, social dhe shëndetësor, po i japin hapësirë trafikimit të drogës. Trafikantët e drogës iu përshtatën menjëherë rrethanave të reja falë edhe natyrës së tyre fleksibël, dinamikës së re të pandemisë. Ata u janë përshtatur rrethanave në çdo sektor të vetëm që karakterizon sistemin e madh ekonomik të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ata përdorën, teknologji të reja (mini-nëndetëse pa pilot, dronë) dhe botën e internetit (Dark Web, Deep Web).
A ka ndikuar kjo emergjencë planetare në prodhimin e lëndëve të para të drogës ?
Unë do të thosha jo. Të dhënat statistikore na tregojnë se si prodhimi ashtu edhe kërkesa për lëndë narkotike gjatë periudhës dyvjeçare 2020/2021 ka ardhur duke u rritur krahasuar me dy vitet e mëparshme. Në vende të tilla si Meksika, Kolumbia, Peruja dhe Bolivia, nivelet e prodhimit të kokainës janë rritur si në sasi e prodhuar e importuar ashtu edhe në mbjelljen e saj. Heroina, nga ana tjetër, garantohet nga Afganistani, i cili prodhon 96% të opiumit në botë, lëndë e parë për marrjen e heroinës. Me ardhjen e talebanëve vlerësohet se prodhimi do të rritet më tej. Megjithatë, gjatë përplasjeve të përgjakshme në Afganistan, duhet theksuar se tregu i sipërpërmendur nuk pësoi asnjë rënie, duke garantuar 88% të heroinës së mbërritur në kontinentin evropian.
Si i mbajtën ritmin organizatat kriminale sa i përket nivelit të prodhimit të drogës kur edhe industritë më të forta në botë hynë në krizë?
Mafiat nuk kanë të njëjtat probleme që mund të kenë bizneset dhe industritë që operojnë në zbatim të ligjit. Rënia e fuqisë punëtore dhe mungesa e lëndëve të para bazë nuk kanë qenë një problem i madh për organizatat kriminale. Në Amerikën Latine, për shembull, Venezuela (prodhuesi më i madh në botë) e siguroi mungesën e benzinës duke rritur lëndët narkotike të cilët ishin në gjendje të ruanin standardet e prodhimit para pandemisë. Nga ana tjetër, krahu i punës, kriza ekonomike ka ndihmuar trafikantët që të rrisin fuqinë punëtore duke u vendosur në dispozicion të krimit të organizuar, pikërisht për shkak të nevojës të shkaktuar nga urgjenca shëndetësore. Në Afganistan, korrja e opiumit në përgjithësi bëhet nga marsi deri në qershor dhe ndikimi i pandemisë në ato muaj ka qenë gjithmonë jo shumë i madh, kështu që fuqia punëtore e ardhur nga vendet fqinje, përbën një pjesë të madhe të numrit të përgjithshëm të fermerëve. Pavarësisht këtyre vështirësive, trafikantët e drogës kanë treguar edhe një herë se dinë të përshtaten duke mbajtur të qëndrueshëm prodhimin e drogës dhe duke garantuar konsumin nga kërkesa evropiane dhe ndërkombëtare.
Në kontekstin gjeopolitik global, si ndodh shpërndarja e drogës?
Heroina mbërrin në Evropë nga Afganistani, dhe ndjek tre rrugë kryesore: “Rrugën ballkanike”, e cila sjell drogën nga Irani për në Turqi dhe më pas kalon përmes Ballkanit (Shqipëri, vendet e ish-Jugosllavisë dhe Italisë) dhe më pas drejt atyre evropiane; “Rruga jugore” është rruga që vjen nga Pakistani, qendra kryesore e transitit dhe shpërndan drogën në tregjet e Kinës, Azisë Juglindore, Gadishullit Arabik dhe Afrikës; dhe “Rruga aziatike” e cila, edhe pse më pak e rëndësishme, është rruga që transporton heroinën përmes Azisë Qendrore dhe më pas mbërrin deri në Rusi. Megjithatë, në Amerikën e Veriut, shumë pak heroinë vjen nga Lindja: eksportuesi kryesor në Amerikën e Jugut është Meksika, e cila furnizon kryesisht tregjet amerikane, por edhe ato kanadeze dhe tregjet e vogla të Amerikës Latine. Kokaina gjen qendrat e saj kryesore të prodhimit në Peru dhe Kolumbi, e cila trafikohet masivisht nga deti. Rrugët më të rëndësishme kalojnë përmes Oqeanit Paqësor, në Ekuador dhe zona të tjera të Amerikës Qendrore, dhe më pas vazhdojnë me rrugë tokësore drejt kufirit midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Pikat kryesore të hyrjes për trafikun e kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut, qoftë drejtpërdrejt ose përmes rajoneve transit si Afrika Perëndimore, mbeten Spanja, Belgjika dhe Holanda. Afrika Perëndimore, për shembull, është një zonë e rëndësishme transiti për trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë, si dhe për trafikimin e saj në Azi. Trafikimi i kokainës në Australi mbetet shumë fitimprurës duke pasur parasysh çmimin e lartë të kokainës në atë vend. Ky është pak a shumë kuadri gjeopolitik i trafikut të drogës në nivel global.
Në një kontekst më të kufizuar, po i referohem qendrave të trafikimit të ë drogës, si ka ndikuar pandemia dhe kufizimet përkatëse të vendosura nga qeveritë e ndryshme?
Me siguri mënyrat e shitjes kanë ndryshuar pikërisht sepse kërkesat e ndryshme kanë detyruar klanet e drogës të përshtaten, duke adoptuar një modus operandi të ri (një metodë e re të punuari, shën. i redak.) Zinxhiri i furnizimit dhe mënyra e tregtimit kanë ndryshuar. Ne kemi kaluar nga dorëzimi i drogës nëpër qendra apo sheshe të caktuara, te dorëzimi i lëndës narkotike në shtëpi. Interneti ka qenë një instrument për të kryer porositë. Edhe gjatë bllokimit nga pandemia pati një rritje të kërkesës. Trafikantët e drogës kanë rritur gjithashtu furnizimin me opioidë sintetikë, veçanërisht fentanil, që konsumohet shpesh duke e kombinuar me alkoolin. Gjatë kufizimeve të pandemisë oferta online është rritur kudo. Blerësi paguan për lëndën narkotike dhe merr atë përmes rrjeteve sociale ose mesazheve. Një rast emblematik i shitjeve online është platforma Hydra, një nga tregjet më të mëdha në rrjetin e trafikut të drogës, përmes së cilës është bërë i mundur trafikimi i lëndëve narkotike për në vendet evropiane.
Në këtë sistem gjeopolitik të sapokrijuar, çfarë rreziqesh ka Evropa?
Bashkimi Evropian aktualisht ka një kontroll të dobët ndaj trafikimit të lëndëve narkotike. Në Perëndim droga vjen nga Amerika Latine, nga Lindja vjen droga afgane dhe fatkeqësisht Evropa është në mes. Rreziku është që ne të pushtohemi edhe më shumë nga ky lloj kriminaliteti sepse në kontinentin e vjetër ka një kërkesë në rritje për lëndët narkotike. Institucionet evropiane duhet ta trajtojnë seriozisht problemin dhe të marrin masa ndryshe në një afat të shkurtër rrezikojmë “nokautin” përfundimtar në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës./Rainews