Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri para një jave u dënua më 3 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Apelit.
Fillimisht Tahiri qëndroi në ambientet e burgut 313 ndërkohë që ditën e sotme është vendosur tranferimi i tij në burgun e Fierit.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 4 shkurt dha vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 5 vite heqje lirie.
Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu i Fierit.
Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.
Tahiri nuk ka pranuar të komentoi vendimin për mediat, ndërsa ka nxituar që para se të shoqërohet në burgun “313” në Tiranë të bëjë një telefonatë.
Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.