Projekti i “Unazës së Madhe” po bën “kurban” shumë shtëpi dhe më të prekurit janë banorët e lagjes ”5 Maji”. Por gjithashtu banesa do të shemben edhe në Laprakë dhe Paskuqan.
Ndërkohë drejtori i Kadastrës Artan Lame është pyetur në lidhje me banesat që do të shemben në zonën e 5 Majit në Tiranë, dhe arsyen se pse një pjesë e tyre janë zvarritur me radhë për procesin e legalizimit. ame tha se qoftë Kuvendit, qoftë Avokatit të popullit i është dhënë informacioni i kërkuar, dhe u shtoi se nuk preferonte të jepte komente të mëtejshme për këtë çështje.
Gjithashtu ai refuzoi tiu përgjigjej pyetjeve të mëtejshme që iu bënë nga gazetarët, duke thënë se donte të qëndronte dhe të fliste për temën e dixhitalizimit të Kadastrës.
“Edhe Kuvendi edhe vetë subjektet e interesuara, kanë kërkuar informacion, iu është dhënë gjithë informacioni, qoftë për zonën e 5 Majit, qoftë për Unazën, nuk do të doja të vazhdoja me këtë temë, pasi nuk dua të dal nga tema e sotme”, u shpreh Lame.
Kujtojmë se më 19 janar ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila njoftoi edhe nisjen e punimeve për ndërtimin e Unazës Veriore të Tiranës – pjesë e projektit të Unazës së Madhe. Ndërkohë pjesa lindore ka përfunduar. Ajo në daljen e saj publike bëri me dije se janë marrë të gjitha masat sa i përket shpronësimeve dhe qytetarët duhet të informohen për ecurinë e punimeve.
Unaza e Madhe e Tiranës përbën nëj segment 27 km të gjatë , e cila do t’i kushtojë në total buxhetit një vlerë prej 373 milionë eurosh. Ajo pritet të përfundojë në vitin 2023 dhe ka si qëllim lehtësimin e trafikut brenda Tiranës, si dhe lidhjen e kryeqytetit me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. Ky projekt bën të mundur rikualifikimin urban në zonat ku ajo kalon, çka do të rrisë vlerën e banesave dhe pronave të tjera në të dy krahët e rrugës.