Një ngjarje e rëndë me pasoja tragjike ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në aksin kombëtar Librazhd-Elbasan, ku një makinë ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në rrjedhën e Lumit Shkumbin.
Në automjetin e përmbysur ishin 6 persona dhe deri tani raportohet për tre viktima dhe 3 të plagosur. Mes të plagosurve është edhe një fëmijë, i cili është transportuar në gjendje të rëndë drejt Traumës në Tiranë.
Dëshmitari i ngjarjes, i cili ka qenë i pari që ka mbërritur në vendngjarje është shprehur se kishte disa muaj që ishte prishur barriera mbrojtëse e rrugës dhe nuk ishin marrë masa për ta rregulluar nga institucionet përkatëse. Sipas tij nuk është hera e tretë që ndodh e njëjta gjë. Gjithashtu personi i cili pa i pari tmerrin e pasojave të aksidentit të sotëm shprehet se vrapoi direkt me vrap dhe më pas u mblodhën edhe të tjerë rreth vendit të ngjarjes.
“Sapo pashë që kishte ndodhur diçka erdha me vrap, në atë kohë nuk kishte asnjë më pas u mblodhën të gjithë. Di se janë tre të vdekur, ajo gruaja doli me djalin, ishte 8 metra poshtë në shkëmb. E ngjitëm djalin duke mbajtur njeri-tjetrin. Djali ishte 7-8 vjeç. Kjo është e treta herë që ndodh e njëjta gjë. Ka dy muaj që është prishur barriera mbrojtëse, ka qenë e shembur, nuk kanë marrë masa për ta rregulluar”, rrëfen dëshmitari i ngjarjes tragjike.
Theksojmë së nxjerrja e trupave ka zgjatur disa orë, pasi terreni dhe kushtet kanë qenë shumë të vështira, teksa makina ishte 4 metra poshtë ujit.