Kanë kaluar më shumë se një vit nga vrasja e ish-efektivit Xhulio Prela dhe tashmë prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet për vrasjen e efektivit Xhulio Prela duke dërguar çështjen për gjykim për ngjarjen e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2020 në Gajush të Lezhës. Dy personat të cilët janë marrë si të pandehur nga Prokuroria janë Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku. Nga hetimet e kryera organi i akuzës ka dalë në konkluzionin së Redion Hysa është autori i dyshuar i vrasjes, ndërsa ndaj Nikoll Shernikut është ngritur akuza ‘Moskallëzim Krimi’. Çështja është në gjykim paraprak dhe do të jetë gjykata që tashmë do të vendose kalimin për gjykim themeli apo rikthimin në prokurori për plotësim hetimesh.
Pistoleta me të cilën dyshohet se është vrarë efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhulio Prela është gjetur në një depozitë uji. Ekspertiza balistike, ka provuar se pistoleta ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë, efektivi i policisë. Ekspertët shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës. Ky i fundit është njohur me rezultatin e ekspertimit balistik dhe gjetjen e armës në depozitën e ujit tek shtëpia e tij, por ai ka preferuar të mos flasë dhe mos japë asnjë shpjegim rreth provave të siguruara nga policia dhe prokuroria.
Kujtojmë që ish-efektivi i policisë Xhulio Prela u vra mëngjesin e 5 dhjetorit të 2020 në zonën e njohur si “Gajush”, në afërsi të Lezhës. Prela është ‘përplasur’ me drita makinash me një mjet fuoristradë ku udhëtonte ‘misteriozi’, dhe ka marrë të shara e ofendime nga ky i fundit. Efektivi i FNSH-së ka ecur disa metra, pas është kthyer mbrapsht dhe i është vënë pas mjetit në fjalë, ka ulur xhamin e djathtë të makinës dhe me armën e shërbimit në dorë ka kërkuar llogari nga personi që kishte përballë. Sherri ka agravuar në përdorimin e armës nga personi që ende nuk i dihet identiteti, i cili e ka qëlluar tre herë Prelën, nga ana e djathtë, duke bërë që plumbi t’i shkojë në zemër e t’i marrë jetën efektivit. E ndërsa efektivi i FNSH-së nuk ka arritur ta përdorë dot armën e tij, e cila është gjetur poshtë sediljes së pasagjerit të mjetit të tij “Ëolksëagen Passat”. Më pas, autori është larguar duke lënë pas policin e vdekur.