Hajdutët kanë ‘shënjestruar’ shtëpinë e këngëtares, Vaçe Zela, teksa kanë vjedhur bizhuteri të çmuara dhe dekoratën e presidentit. Pas kësaj ngjarje, policia ka hedhur dritë mbi ngjarjen, ndërsa janë zbardhur detaje të reja.
Nga kontrollet e bëra deri më tani, rezulton se në shtëpinë e këngëtares, e cila ndodhet te një pallat te “Pazari i Ri”, mungon një lap top, ora e bashkëshortit të Vaçe Zelës, si dhe një dekoratë. Ekspertët kriminalistë kanë gjetur në vendngjarje disa gjurmë gishtash dhe një fije floku të cilat po analizohen në laboratorin e kriminalistikës, për të arritur në ndonjë emër autori të mundshëm.
Dyshohet se hajdutët, kanë hyrë në shtëpinë e këngëtares së ndjerë duke e hapur derën me kartë, pasi ajo nuk ka qenë e mbyllur me çelës. Midis sendeve me vlerë grabitësit kanë marrë bizhuteri të çmuara edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës.
Burimet policore pranë komisariatit numër 1 në Tiranë treguan se salla operative i kërkoi një patrulle të afrohej në banesën ku ka jetuar Vaçe Zela. Policia shpreson që një fije floku e gjetur në banesë dhe që është dërguar pranë laboratorit të kriminalitikës, mund t’i çojë tek autori i dyshuar i vjedhjes. I vëllai artistes Hysni Zela thotë se janë marrë gjithashtu bizhuteri dhe sende me vlerë.