Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për bossin izraelit Rafael Genish, i cili mashtronte me anë të “Forex”, shtetasit gjermanë, francëzë dhe anglezë. Ndërkohë që do hetohet edhe për pastrim parash.
Genish ishte prej kohësh nën vëzhgim nga policia. Ky shtetas izraelit e ushtronte këtë aktivitet të paligjshëm prej 5 vitesh në Shqipëri. Aksioni u ndërmor para dy ditësh ku të arrestuar mbetën edhe 35 persona të tjerë të punësuar në Call-center. Pritet që masa e sigurisë për të arrestuarit dhe për kreun e tyre, të jepet ditën e nesërme.
Skema funksiononte në dy forma për të gjeneruar “pretë” e tyre. Forma e parë ishte përmes databazave me numra telefoni, të cilat siguroheshin nga pronarët e “Call Centerave” në forma të ndryshme përmes blerjes edhe në atë që quhet “darkëeb”.
Forma tjetër ishte reklama online përmes të cilës shtetas të ndryshëm regjistroheshin aty duke besuar se kishin të bënin me një kompani serioze që do t’i udhëzonte për të investuar.
Pasi telefonoheshin nga operatorët nga “Call Centerave” në Shqipëri, “viktimat” fillimisht josheshin me premtime se do të fitonin shumë nëse investonin në “Forex” apo “Kriptomonedha”. Pasi fitonin besimin dhe mundësonin vjeljen e shumave të vogla nga klientët, operatorët i regjistronin ata në një platforme të gënjeshtërt të “Forexit” apo “Kriptomonedhave”, të cilat nuk ishin të lidhura me sistemet ndërkombëtare që shërbejnë për këtë gjë.
Ndërkohë që klientët shihnin të dhëna të rrejshme në platformë, operatorët e “Call Centerave” i telefonin ata duke i bërë presion që të investonin më shumë pasi do të kishin fitime edhe më të mëdha.